Sot, për herë të parë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë të dy pensionet: pensionin si viktimë e dhunës seksuale dhe pensionin e moshës.
Për këtë ka njoftuar drejtorja e QKRMT-së, Feride Rushiti, e cila ka shkruar: “Sot, për herë të parë, një e mbijetuar nuk duhet të zgjedhë mes dy identiteteve të saj, ajo i mban të dyja me dinjitet.”
Ky rast është i pari që konkretizon këtë të drejtë në praktikë, ndërkohë që dhjetëra raste të tjera janë në shqyrtim nga gjykatat.
Që nga viti 2021, QKRMT ka nisur procesin gjyqësore për njohjen e të drejtës për pensionin e dyfishtë, që u kurorëzua me sukses sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, duke vendosur një precedent që hap rrugën për të gjithë të mbijetuarit që kanë arritur moshën e pensionimit.
“Ne jemi duke avokuar fuqishëm pranë institucioneve për njohjen automatike të kësaj të drejte për të gjithë të mbijetuarit që kanë arritur moshën e pensionimit”, thuhet në komunikatën e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.