Qyteti i Nju Jorkut ka hapur strehimoren e parë, e cila financohet me para publike, për personat trasgjinorë që përballen me mungesë strehimi. Ace’s Place do të ofrojë 150 shtretër dhe shërbime mbështetëse, përfshirë këshillim, punëtori mbi edukimin financiar dhe një program pune e studimi në fushën e kulinarisë për banorët e interesuar për të punuar në sektorin e mikpritjes dhe ushqimit.
Përveç strehimit të përkohshëm, Ace’s Place do të ofrojë këshillim individual dhe grupor, ndihmë në planifikimin për strehim të përhershëm, referime për shërbime mjekësore apo të shëndetit mendor, grupe të mbështetjes, punëtori për shkathësi të ndryshme dhe edukim financiar, si dhe asistencë për punësim.
Ace’s Plan, e cila u hap në Queens është një bashkëpunim mes Departamentit të Shërbimeve Sociale të Nju Jorkut dhe organizatës për të drejtat LGBTIQ+ “Destination Tomorrow” me bazë në Bronx.
“Jemi tepër krenarë që po bëjmë këtë njoftim historik, i cili afirmon fuqishëm vlerat tona dhe angazhimin për të forcuar rrjetin e sigurisë për transgjinorët e Nju Jorkut, në një kohë kur të drejtat e tyre janë nën sulm të vazhdueshëm. Ace’s Place do të ofrojë një vend të sigurt ku personat transgjinorë mund të nisin shërimin dhe të stabilizohen në një ambient të ndjeshëm ndaj traumës, me mbështetjen e stafit të përkushtuar për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre”, tha Molly Wasow Park, komisionere e Departamentit të Shërbimeve Sociale.
Personat trans përjetojnë në mënyrë disproporcionale mungesën e strehimit, kryesisht për shkak të diskriminimit në punësim. Sipas U.S. Trans Survey të realizuar në SHBA në vitin 2022, i cili ende mbetet studimi më i madh kombëtar i realizuar me mbi 90,000 respodentë, rreth 30% e të anketuarve raportuan se kishin përjetuar mungesë strehimi gjatë jetës së tyre. 11% e atyre që kishin punuar ndonjëherë, thanë se ishin pushuar nga puna, detyruar të jepnin dorëheqjen ose ishin larguar nga puna për shkak të identitetit ose shprehjes gjinore. Mbi një e treta (34%) e të anketuarve jetonin në varfëri.
Ace’s Place është një nga vetëm dy organizatat në qytetin e Nju Jorkut që ofron strehim për të rriturit e komunitetit LGBTIQ+, pasi pothuajse të gjitha strehimoret LGBTIQ+ në qytet janë vetëm për persona nën moshën 25 vjeç, shkruan NBC News.