Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

OKB: Gratë dhe vajzat janë më të prekura nga kriza globale e ujit

QIKA 23.3.2026

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se gratë dhe vajzat po mbajnë barrën më të madhe të mungesës së ujit dhe të mungesës së kushteve sanitare në mbarë botën, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në vendet më të varfra.

Gratë janë përgjegjëse për sigurimin e ujit në më shumë se 70% të familjeve që jetojnë në zona rurale dhe nuk kanë qasje në rrjetin e ujësjellësit në shtetet në zhvillim.

Në nivel global, gratë dhe vajzat shpenzojnë afërsisht 250 milionë orë në ditë për të mbledhur ujë. Sipas një raporti të ri të OKB-së, kriza klimatike po e përkeqëson këtë problem. “Rritja e temperaturës prej 1 gradë celsius ul të ardhurat në familjet me kryefamiljare gra me 34% më shumë sesa në ato me kryefamiljarë burra, ndërsa gjithashtu shkakton rritjen e orëve javore të punës së grave me një mesatare prej 55 minutash në krahasim me ato të burrave”, raporton the Guardian.

Khaled El-Enany, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, tha se “Sigurimi i pjesëmarrjes së grave në menaxhimin dhe qeverisjen e burimeve të ujit është një faktor kyç për progres dhe zhvillim të qëndrueshëm. Duhet të intensifikojmë përpjekjet për të garantuar qasjen e grave dhe vajzave në ujë.”

Raporti Botëror për Zhvillimin e Ujit gjeti se të dhënat për gratë dhe vajzat janë të vështira për t’u siguruar, pasi shumë vende dhe institucione ndërkombëtare nuk mbledhin statistika të ndara sipas gjinisë. Megjithatë, autorët theksuan se është e qartë që gratë janë në disavantazh të madh sa i përket qasjes në ujë për shëndet, gatim, pastërti dhe bujqësi, dhe se vendet po ecin shumë ngadalë në adresimin e këtyre çështjeve.

Një studim vlerëson se rreth 10 milionë vajza adoleshente në 40 vende me të ardhura të ulëta kanë munguar në shkollë, punë apo aktivitete shoqërore për shkak të mungesës së tualeteve gjatë periudhës 2016-2022. Në vitin 2024, më shumë se 2.1 miliardë njerëz nuk kishin qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 3.4 miliardë nuk kishin kushte sanitare të sigurta.

Gratë janë gjithashtu të nënpërfaqësuara në vendimmarrjet lidhur me të drejtat mbi ujin në tokat bujqësore, të cilat shpesh lidhen me të drejtat pronësore. Në shumë vende, gratë diskriminohen në të drejtat e pronësisë mbi tokën, ndërsa burrat zotërojnë dyfish më shumë tokë.

 “Mungesa e qasjes në ujë dhe sanitari në klinika po çon në vdekje të panevojshme të grave gjatë lindjes, si dhe po i ekspozon ato ndaj dhunës me bazë gjinore kur detyrohen të ecin distanca të gjata për të siguruar ujë”, tha Helen Hamilton, drejtuese e politikave të shëndetit publik në organizatën WaterAid.

Parvin Ngala, drejtore në World Vision, tha se “Normat e dëmshme shoqërore shpesh nuk e vlerësojnë kohën dhe përpjekjen që gratë investojnë për të siguruar ujë dhe i përjashtojnë ato nga vendimmarrja. Pasojat ekonomike janë reale dhe mundësitë e grave për të fituar të ardhura bëhen pothuajse të pamundura”.