Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) publikoi gjetjet e tij mbi Azerbajxhanin, Bolivinë, Mongolinë, Marokun, Namibinë, Portugalinë, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjetjet përmbajnë aspekte pozitive të zbatimit të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave nga secili vend, si dhe shqetësimet dhe rekomandimet kryesore të Komitetit.
Komiteti ishte shqetësuar për situatën e shumë grave dhe vajzave në Azerbajxhan lidhur me qasjen e kufizuar në arsim, punësim, kujdes shëndetësor dhe strehim. Poashtu, Kodi i Punës në Azerbajxhan i ndalon gratë të punojnë në 204 profesione. Kështu, u kërkua që vendi të sigurojë pjesëmarrjen kuptimplote dhe gjithëpërfshirëse të grave. Ndërsa nga Bolivia u kërkua që të gjitha gratë dhe vajzat, veçanërisht gratë dhe adoleshentët rurale, të kenë qasje në forma moderne të kontracepsionit, duke qenë se kontraceptivët modernë janë të papërballueshëm për shumicën prej tyre.
Sa i përket Mongolisë, u bë thirrje që të miratohet legjislacioni gjithëpërfshirës kundër diskriminimit për të ndaluar çdo diskriminim ndaj grave dhe vajzave në sferat publike dhe private. Duke pasur parasysh vazhdimësinë e stereotipeve kundër grave në vend, Komiteti rekomandoi që Mongolia të miratojë një strategji gjithëpërfshirëse për të eliminuar stereotipet diskriminuese për rolet dhe përgjegjësitë e grave në familje dhe shoqëri. Ndërsa, u shpreh shqetësimin për Kodin Penal të Marokut që i vë gratë lezbike, biseksuale, transgjinore dhe interseksuale në rrezik të dënimit penal. Kështu, u bë thirrje ndaj vendit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shfuqizuar dispozita të tilla diskriminuese të Kodit Penal për të shmangur stigmatizimin dhe rastet e dhunës, raporton UN Nations.
Në Naimbi rritja e dhunës me bazë gjinore ndaj grave gjatë pandemisë COVID-19, çoi në protesta publike në 2020. Me këtë rast u kërkua që vendi të sigurojë që çdo stacion policie të ketë oficerë policie të trajnuar posaçërisht për t’u marrë me ankesat për dhunën me bazë gjinore dhe të sigurojë urdhra mbrojtjeje efektive, strehimore dhe trajtim psikologjik për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës me bazë gjinore. Ndërsa, në Portugali u kërkua që të krijohet një mekanizëm për të garantuar që gratë të kenë rekurs të menjëhershëm ndaj urdhrave të mbrojtjes civile kundër partnerëve abuzues në gjykatat familjare, pa pasur nevojë të përfshihen në procedime penale. Poashtu, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara në Portugali janë veçanërisht të ndjeshme ndaj sterilizimit të detyruar të kryer nën pretekstin e kujdesit legjitim mjekësor ose me pëlqimin e të tjerëve në emër të tyre. Komiteti i kërkoi shtetit palë të sigurojë pëlqimin e plotë, të lirë dhe të informuar të grave me aftësi të kufizuara për çdo ndërhyrje ose trajtim mjekësor dhe të garantojë standarde dinjitoze dhe autonome etike në sektorin shëndetësor të vendit.
Në gjetje u përfshi edhe Turqia, së cilës iu bë thirrje të rivendosë menjëherë të gjithë gjyqtarët e shkarkuar dhe të përshpejtojë hetimin e ngacmimeve, frikësimit dhe hakmarrjes të kryera kundër grave gjyqtare dhe prokurore. Ndër të tjera iu kërkua që të mbrojë aktivistet dhe gratë gazetare nga sulmet dhe dhuna. Sa i përket Emirateve të Bashkuara Arabe, u rekomandua që të ndërmerret një rishikim gjithëpërfshirës legjislativ për t’u ofruar grave të drejta të barabarta në martesë, marrëdhënie familjare, divorc dhe në lidhje me pronën dhe kujdestarinë e fëmijëve.