Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Operatorët e kamerave olimpike kanë filmuar në mënyrë seksiste gratë pjesëmarrëse

QIKA 21.8.2024

Ndonëse Lojërat Olimpike të Parisit 2024 për herë të parë në histori që kanë arritur numër të barabartë të grave dhe burrave pjesëmarrës, operatorët e kamerave olimpike po akuzohen për mënyrë seksiste të filmimit të grave pjesëmarrëse gjatë garave.

“Gratë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Paris janë sportiste elitare, ndaj operatorët e kamerave duhet t’i inkuadrojnë në të njëjtën mënyrë si burrat”, pati thënë shefi i transmetimit të Olimpiadës, Yiannis Exarchos, teksa ka përmendur “paragjykimet e pavetëdijshme” të kameramanëve dhe redaktorëve televiziv si shkak që çuan në më shumë pamje nga afër të grave gjatë transmetimeve.

Olympic Broadcasting Services (OBS) ka qenë përgjegjës për mbulimin televiziv të Lojërave Olimpike. Kreu i OBS ka thënë se organizata e tyre kishte përditësuar udhëzimet e saj për operatorët e kamerave, shumica e të cilëve janë burra. Megjithatë sipas Exarchos, seksizmi dhe stereotipet gjinore kanë qenë të dukshme në filmimin ndryshe të grave dhe burrave, “Gratë atlete nuk janë aty sepse janë më tërheqëse apo më seksi apo çfarëdo tjetër. Ato janë aty sepse janë sportiste elitare”, tha ai.

Lidhur me këtë, Marie Sallois, drejtore për barazinë gjinore në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, tha se Lojërat e Parisit ishin “de facto platforma më e madhe në botë për të promovuar barazinë gjinore në dhe përmes sportit”.

Përveç filmimeve, edhe në këto lojëra kritika ka pasur edhe për veshjet sportive të cilat për gratë pjesëmarrëse janë të dizajnuara shumë më të hapura dhe më të shkurtra se sa veshjet e burrave pjesëmarrës.