Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Organizatat për të drejtat e njeriut ngrisin padi kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi Murtezi

QIKA 1.3.2024

Në ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, organizatat për të drejta të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS); Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova); Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); dhe Civil Rights Defenders, kanë paraqitur Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+ gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila ishte mbajtur me 16 mars 2022.

Padia dhe Ankesa janë paraqitur kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër deputetes znj. Labinotë Demi-Murtezi, thuhet në deklaratën e përbashkët të organizatave.

Debati i zhvilluar me 16 mars 2022 brenda Kuvendit të Kosovës, për shqyrtimin e parë të Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës, pati diskutime polemizues në lidhje me dispozitat specifike të Projekt-Kodit Civil, të cilat kishin të bënin me bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave të seksit të njëjtë.

Njashtu, në deklaratën e përbashkët thuhet se gjatë diskutimeve për Projekt-Kodin Civil, deputetë dhe deputete të caktuara kanë (keq)përdorur foltoren e Kuvendit për të demonizuar komunitetin LGBTIQ+.

“As deputetët nuk e kanë atë të drejtë dhe as institucioni i Kuvendit nuk duhet të lejojë dhe tolerojë një gjë të tillë. Siç e kemi theksuar në Padi dhe Ankesë, edhe Gjykata Kushtetuese ka sqaruar në një nga vendimet e saj, se deputetët kanë pozitë të privilegjuar në ushtrimin e funksionit të tyre përfaqësues, por imuniteti dhe privilegjet e tyre shtrihen deri në masën që veprimet dhe vendimet e tyre ndërmerren brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.” thuhet tutje në deklaratë.

Lexoni deklaratën e plotë: https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=430545305983659&id=100070845797801