Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Parada e Krenarisë në Budapest ishte më e madhe se kurrë

QIKA 30.6.2025

Më shumë se 100 mijë njerëz marshuan të shtunën nëpër Budapest, në Paradën e Krenarisë më të madhe të mbajtur ndonjëherë në Hungari. Ky numër kaq i madh i pjesëmarrësve shënon kundërefektin e vendimit të kryeminsitrit Viktor Orban që të ndalonte paradën, në kuadër të propagandës së tij djathtiste anti-gjinore.

Përveç ndalimit qeveritar, Orban  të premten i paralajmëroi njerëzit të qëndronin larg paradës së ndaluar, duke kërcënuar me pasoja ligjore për këdo që do merrte pjesë. Megjithatë kryetari i Budapestit lejoi që eventi të mbahej dhe Policia po i shoqëronte vazhdimisht marshuesit.

Në mënyrë që të mbahej marshi, kryetari liberal i Budapestit, Gergely Karacsony, e riformuloi Paradën e Krenarisë, një aktivitet i përvitshëm nga viti 1995,  si një ngjarje komunale që festonte rimëkëmbjen e lirisë së plotë të Hungarisë kur trupat sovjetike u tërhoqën në qershor 1991. Ai lejoi që ajo të mbahej, e riemëruar si Krenaria e Lirisë së Budapestit, shkruan New York Times.

Autoritetet ende këmbëngulën se ishte e paligjshme dhe e kanë kërcënuar kryetarin me burgim, megjithëse dhanë leje për një marsh anti-homoseksual të planifikuar për të shtunën nga një parti e ekstremit të djathtë. Marsh ky i cili ka dështuar sepse derisa një grup i vogël mbështetësish të Lëvizjes Atdheu Ynë bllokuan një urë mbi lumin Danub në rrugën tradicionale të marshit të Krenarisë së Budapestit, por marshuesit i shmangën duke marrë një urë tjetër.

Kujtojmë se në mars, partia e Orban-it në Parlament miratoi legjislacionin që ndryshoi të drejtën e tubimit për ta bërë të paligjshme mbajtjen e tubimeve si Paradat e Krenarisë, sipas një ligji të mëparshëm që ndalonte materialet që ‘përhapin homoseksualitetin’’. Pjesëmarrësit në tubime të tilla përballeshin me gjoba prej gati 600 dollarësh secili, ndërsa organizatorët rrezikonin burgim deri në një vit.

Orban-i, një nacionalist populist, vazhdimisht flet kundër ‘çmendurisë gjinore’ dhe komuniteti LGBTIQ+ i Hungarisë është bërë një nga caqet kryesore të sulmeve përmes së cilave mundohet të përjetësoj idenë e Hungarisë si një bastion të vlerave konservatore të rrethuar nga forcat e jashtme në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.