Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Paragjykimet penalizojnë viktimat e dhunës seksuale në sistemin gjyqësor

QIKA 2.10.2023

Tashmë është e ditur se gratë që janë viktima të dhunës seksuale, rrallë e raportojnë krimin në polici. Organizata amerikane “The Rape, Abuse and Incest National Network” ka treguar se një në gjashtë gra në SHBA ka qenë viktimë e përdhunimit ose tentativës për përdhunim, por dy në tre përdhunime nuk raportohen. Për gratë nën 25 vjeç, kjo shifër bie në një në pesë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, këto shifra janë po aq të zymta. Komisioneri i Viktimave për Anglinë dhe Wells-in vëren se deri në dhjetor 2021, policia regjistroi 67,125 vepra përdhunimi. E megjithatë organizata bamirëse Rape Crisis thotë se pesë në gjashtë gra që përdhunohen nuk e raportojnë atë.

Shumë faktorë ndikojnë në faktin se pse gratë nuk raportojnë krime të tilla. Arsyeja kryesore, megjithatë, është mungesa e besimit në polici e sistem ligjor.

Hulumtimi i Pragya Agarwal nga Universiteti i Loughborough shtjellon se si pabarazitë sociale dhe paragjykimet ndikojnë në vendimet ligjore. Edhe kur anëtarët e jurisë dhe oficerët e policisë besojnë se po veprojnë pa paragjykime, ata nuk mund të shmangin paragjykimet në nënvetëdijen e tyre.

Të dhënat nga sistemi i drejtësisë penale në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se edhe kur një e mbijetuar raporton një përdhunim dhe një person akuzohet, gjasat janë shumë të ulëta që ata të shpallen fajtorë. Shifrat tregojnë se më pak se vetëm dy nga 100 përdhunime të regjistruara nga policia në vitin 2022 përfunduan me një akuzë ose një dënim, raporton The Conversation.

Një raport i vitit 2018 nga organizata bamirëse e kontrollimit të fakteve Full Facts tregoi se rastet kur viktimat krijojnë pretendime të rreme janë shumë të rralla. Edhe pse rrethanat dhe përkufizimet e pretendimeve të rreme ndryshojnë, raporti zbuloi se vetëm 3% e të gjitha përdhunimeve të raportuara mund të jenë potencialisht pretendime të rreme.

Të përfshira në këtë përqindje ishin rastet kur viktima nuk i kishte kujtuar saktësisht rrethanat gjatë kohës së krimit. Megjithatë, tashmë është e dokumentuar se trauma mund të rezultojë në një sekuencë të çorganizuar dhe jo të plotë të ngjarjeve në kujtesë.

Trajnimet e duhur rreth miteve të përdhunimit kanë rezultuar të kenë fuqinë për të ndryshuar qëndrimet ndaj përdhunimit dhe ndaj të mbijetuarave. Megjithatë, derisa një trajnim i tillë të përhapet gjerësisht – dhe derisa zyrtarët policorë dhe trupat gjykues të ndërgjegjësohen për këto paragjykime – gratë do të vazhdojnë të mos i besojnë sistemit dhe shumica e përdhunimeve do vazhdojnë të mos raportohen.