Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pas 33 vjetësh gratë marrin pjesë në Tour de France

QIKA 25.7.2022

Pas 33 vjetësh gratë janë rikthyer në ngjarjen sportive më të ndjekur në botë: Tour de France.

Këtë të dielë, 24 skuadra me nga gjashtë çiklistë u rreshtuan në Champs-Élysées në Paris për të filluar turneun tetë-ditor të Tour de France Femmes avec Zwift. Gara prej 640 miljesh përmban dy etapa malore dhe përfundon në malet Vosges. Përgjatë ekzistencës 119-vjeçare të këtij turneu, gratë kanë konkurruar në Tour de France vetëm pesë herë. Turneu i grave zgjati nga viti 1984 deri në 1989 – dhe më pas u anulua për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Këtë vit, gara e grave u nis nga sponsori Zwift, një aplikacion çiklizmi i cili do të ofrojë shpërblim rreth 250,000 euro në total. Kur çiklistja amerikane Marianne Martin fitoi turneun e parë të grave në Tour de France në vitin 1984 në moshën 26-vjeçare, gjërat dukeshin shumë ndryshe për çiklistet gra. Veçanërisht, për faktin se ajo nuk kishte rrogë, raporton The Washington Post.

Shumica e çiklisteve gra që po marrin pjesë në turneun e këtij viti janë nën 35 vjeç. Por jo të gjitha çiklistet gra në Tour de France marrin pagë. Vetëm 14 nga 24 skuadrat që konkurrojnë në turne janë të licencuara nën Turin e Ekipeve Botërore të Grave të Unionit të Çiklizmit Ndërkombëtar (UCI), i cili kërkon që ekipet të ofrojnë një pagë minimale prej 27,500 euro në vit për çdo çiklist.

Zwift po financon garën e grave me një shumë totale prej 250,000 eurosh, me ç’rast 50,000 shkojnë për fituesin, shuma më e lartë në historinë e çiklizmit të grave. Ndërsa, shpërblimi për burrat është 2.3 milionë euro, ku 500,000 shkojnë për fituesin.