Kompania 038 e cila ka nën menaxhim tualetet publike në kampusin universitar të Prishtinës dhe kishte qenë e angazhuar nga HEBS për vendosje të disa reklamave në tualete, ka vendosur t’i largoj ato.
Ky vendim vjen pas reagimit të QIKA-s ditën e djeshme përmes një aksioni simbolik, ku kundërshtuam reklamat seksiste të Heb’s dhe My Shawarma të vendosura në tualetet e lokaleve brenda kampusit universitar.
Këto reklama përmbanin përshkrime si: ‘Uh çka i paske kaçikat e mira ku i ke blee”, “O kaçik a t`i kojti kaçikat”, “Doku edhe në My Shawarma qysh po dokesh qetu”.
Albian Beqiri nga Kompania Doku 038 në deklarim për Kallxo.com u kërkoi falje të gjithë atyre që mund të jenë prekur nga mesazhet, derisa theksoi se dizajnet janë ideuar nga HEBS, derisa kompania vetëm ka bërë aprovim për vënie të tyre.
“Na i kemi pranu reklamat prej HEBS-it, domethënë ja kemi vendos, ja kemi aprovu se nuk na është duk si diçka seksite që mundet m`u prek dikush, nuk e kemi llogaritë këtë punë, por domethënë pas reagimeve që i pamë, kemi vendos t`i heqim dhe në bashkëpunim me HEBS-in me ju kërku falje nëse dikush është prek ose i ka konsideruar seksiste”- u shpreh ai.
Beqiri dha detaje edhe si kishte shkuar kjo procedurë. “HEBS i ka angazhuar disa dizajnera, ne në kontakt me dizajnerët na i kanë dërguar reklamat, i kemi shtyp dhe vendos. Ne, hapësirat tona i lëshojmë me qira për reklama kushdo që do prej bizneseve”- shtoi ai.
Sipas tij, reklamat janë vendosur para re ditëve, por deri sot nuk kanë marr ndonjë reagim. “Sot kur e pamë reagimin kemi vendos t`i largojmë”- theksoi më tej Beqiri.