Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pas mbylljes së shkollave të vajzave, aktivistet afgane zotohen për protesta masive

QIKA 30.3.2022

Disa orë pas rihapjes së shkollave të mesme të vajzave në Afganistan, talibanët urdhëruan mbylljen e tyre, meqenëse hapja kishte ngjallur pakënaqësi mes grupeve ekstremiste islamike.

Mohimi i të drejtës së shkollimit ngjalli reagim nga aktivistet për të drejtat e grave të cilat u zotuan të nisin një valë protestash në të gjithë Afganistanin nëse talibanët dështojnë të rihapin shkollat e mesme të vajzave brenda javës.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Emirateve Islamike që të hapin shkollat e vajzave brenda një jave,” u shpreh aktivistja Halima Nasari në një konferencë për shtyp në Kabul.

“Nëse shkollat e vajzave mbeten të mbyllura edhe pas një jave, ne do t’i hapim vetë dhe do të protestojmë në të gjithë vendin deri sa të plotësohen kërkesat tona”, shtoi ajo.

“Talibanët duhet të ndërtojnë më shumë shkolla për vajza në zonat rurale në vend që të mbyllin objektet ekzistuese”, thuhet në deklaratë, e cila vjen pasi disa aktiviste për të drejta të grave u arrestuan muajt e fundit. Gjithashtu në këtë deklaratë u tha se shtypja nuk do të tolerohet më.

Kurse Zarghuna Ibrahimi shprehi se të gjithë duhet të bashkohen në protestë. “Gratë, mësueset dhe vajzat duhet të dalin në rrugë dhe të protestojnë,” tha studentja 16 vjeçare, e cila mori pjesë në konferencën për shtyp.