Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Personat LGBTI dhe mbështetësit po përballen me persekutim sistematik në Kinë

QIKA 18.1.2024

Derisa partia komuniste në Kinë po promovon gjithnjë e më shumë vlerat konservatore e tradicionale, komuniteti LGBTI vazhdon të jetë një nga caqet më të goditura nga dhuna sistematike shtetërore ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes.

Shanghai Pride nuk është organizuar që nga viti 2020, ndërsa në vitin 2021 themeluesi i ‘LGBT Rights Advocacy China’ u arrestua dhe u lirua me kusht që të mbyllte organizatën. Atë vit, shumë llogari në rrjetet sociale të lidhura me lëvizjet LGBTI në kampusin universitar u mbyllën gjithashtu pa paralajmërim.

Shkurtin e kaluar, dy studentë ngritën padi kundër Ministrisë së Arsimit pasi u ndëshkuan për shpërndarjen e flamujve LGBTI në kampus. Në maj të vitit 2023 një nga grupet më të zëshme të avokimit për të drejtat e komunitetit LGBTI në Pekin ‘Beijing LGBT Center’ njoftoi se po mbyllej për shkak të rrethanave të pashpjegueshme dhe të pashmangshme.

Në Kinë, nuk ka ligje që parashikojnë qartë mbrojtje kundër diskriminimit me bazë gjinore dhe ka kritere shumë të rrepta për qasje në kirurgjinë e tranzicionit gjinor. Kina ka një ligj kundër dhunës në familje, i cili nuk arrin të mbrojë në mënyrë adekuate personat LGBTI, thonë avokuesit. Në një anketë me 1,640 persona LGBTI të realizuar nga ‘Beijing LGBT Center’ në vitin 2017, të gjithë përveç 6 prej tyre thanë se kishin përjetuar dhunë në familje.

Ata që ndihmojnë viktimat t’i shpëtojnë dhunës rrezikojnë të arrestohen dhe të detyrohen të pranojnë akuza të pavërteta si shitja e paligjshme e drogës, rrëmbimi apo edhe marrëveshja në grup (seksi që përfshin tre ose më shumë pjesëmarrës), thotë Fangqing, avokat për të drejtat e njeriut.

“Fillimisht është e vështirë të identifikohesh si person queer, pastaj të mbijetosh si queer. Edhe kur je i rritur, sistemi është projektuar në një mënyrë që nuk është e mundur që ti të ikësh apo që të tjerët të të ndihmojnë”, tha një transgjinor 23 vjecar.

Në qershor të vitit 2023, një grua trans, e cila strehoi një të ri trans që po ikte nga dhuna në familje, u dënua me dy vjet e gjysmë për ‘krime në grup’. Pavarësisht vështirësive, shumë persona LGBTI dhe mbështetës po vazhdojnë të ndihmojnë njëri-tjetrin në heshtje, raporton The Guardian.