Alb Eng
Për QIKA 1≠1

500 euro për të lindur. Po për të qenë e barabartë?

Donjeta Morina 12.6.2026

Një reflektim mbi masën e re prej 500 eurosh për nënat, pabarazitë e kujdesit dhe pyetjet që mungojnë në debatin publik.

Një javë më parë linda fëmijën tim të dytë. Kjo do të thotë se jam pikërisht personi që duhej ta mirëpriste me entuziazëm vendimin e Qeverisë për të ofruar 500 euro në muaj për nënat e reja. Dhe në një masë, e mirëpres. Familjet me fëmijë kanë nevojë për mbështetje. Fëmijët kushtojnë. Kujdesi kushton. Jeta kushton.

Megjithatë, reagimi im i dytë nuk ishte entuziazmi. Ishin pyetjet.

Çfarë problemi po përpiqet të zgjidhë kjo politikë?

A po flasim për një politikë të natalitetit? Një politikë sociale? Një masë kundër varfërisë? Një ndërhyrje për të mbështetur familjet? Apo për të gjitha këto njëkohësisht?

Në debatin publik, masa është trajtuar kryesisht si një përfitim financiar. Por si dikush që merret çdo ditë me integrimin e perspektivës gjinore në politika publike e di se ato nuk maten vetëm nga shuma që shpërndajnë. Ato maten nga realiteti që prodhojnë, nga marrëdhëniet që përforcojnë dhe nga pabarazitë që sfidojnë ose normalizojnë.

Pikërisht për këtë arsye, çdo politikë që lidhet me lindjen e fëmijëve duhet të analizohet jo vetëm përmes kostos së saj fiskale, por edhe përmes ndikimit që mund të ketë në jetën e grave.

Dhe kjo është e rëndësishme sepse janë pikërisht gratë ato që vazhdojnë të bartin pjesën më të madhe të barrës së kujdesit. Janë ato që më shpesh ndërpresin karrierën, përballen me diskriminim për shkak të shtatzënisë dhe amësisë, dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për rritjen e fëmijëve dhe organizimin e jetës familjare. Për këtë arsye, kur shteti ndërhyn në fushën e familjes dhe riprodhimit, ai ndërhyn edhe në marrëdhëniet ekzistuese të pushtetit mes grave dhe burrave, pavarësisht nëse e pranon këtë apo jo.

Ajo që më shqetëson më shumë është se deri më tani nuk është bërë publike asnjë analizë që të tregojë se si kjo masë do të ndikojë në tregun e punës, në diskriminimin e grave apo në mënyrën se si ndahet kujdesi brenda familjes.

A është analizuar ndikimi që kjo masë mund të ketë në tregun e punës? A është analizuar nëse ajo mund të ndikojë në mënyrën se si punëdhënësit i perceptojnë gratë e moshës riprodhuese? A është analizuar nëse kjo masë do të fuqizojë ekonomikisht gratë apo do të përforcojë varësinë e tyre ekonomike në rrethana të caktuara? A është analizuar se si mund të ndikojë tek gratë që përballen me varfëri, kontroll ekonomik apo forma të tjera të dhunës me baze gjinore?

Këto pyetje nuk janë dytësore. Në fakt, ato do të duhej të ishin pjesë e pikës së nisjes së çdo politike që prek drejtpërdrejt jetën e grave dhe familjeve. Ligji për Barazi Gjinore kërkon integrimin e perspektivës gjinore dhe vlerësimin e ndikimit gjinor tek të gjitha politikat publike. Ky obligim ligjor ekziston pasi qe gratë dhe burrat nuk preken njësoj nga politikat publike dhe sepse masat që në pamje të parë duken neutrale mund të prodhojnë pasoja të ndryshme për secilin grup. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për politika që lidhen me familjen, kujdesin, punësimin dhe vendimet riprodhuese. Pikërisht për këtë arsye, është shqetësuese që një masë me implikime kaq të gjera sociale, ekonomike dhe gjinore po prezantohet pa ndonjë diskutim publik mbi ndikimin e saj të mundshëm.

Në vend se diskutimi të fokusohet në reforma që adresojnë shkaqet strukturore të pabarazisë në kujdes dhe punësim, debati është zhvendosur te një masë e re financiare, pa ndonjë analizë publike se si ajo lidhet me këto sfida apo si pritet t’i adresojë ato, apo nëse rrezikon të thellojë pabarazitë që burojnë nga ndarja e pabarabartë e përgjegjësive të kujdesit mes grave dhe burrave.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur shohim kontekstin më të gjerë në të cilin po prezantohet kjo masë.

Kosova vazhdon të ketë një nga normat më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Evropë. Në të njëjtën kohë, sistemi ynë ligjor vazhdon ta trajtojë kujdesin për fëmijët kryesisht si përgjegjësi të grave. Sipas Ligjit të Punës, Gratë kanë të drejtë deri në dymbëdhjetë muaj pushim të lehonisë, ndërsa baballarët vetëm tri ditë leje pas lindjes së fëmijës. Ne ende nuk kemi leje prindërore, një koncept që tashmë konsiderohet praktikë standarde në shumë vende dhe një nga mekanizmat kryesorë për promovimin e ndarjes më të barabartë të përgjegjësive të kujdesit mes prindërve. Në vend të kësaj, vazhdojmë të funksionojmë me një Ligj të Punës të miratuar në vitin 2010, i cili kujdesin për fëmijët vazhdon ta trajtojë kryesisht si përgjegjësi të grave.

Hulumtime të shumta në Kosovë kanë treguar se barra e pabarabartë e punës së kujdesit mbetet një nga pengesat kryesore për përfshirjen e grave në tregun e punës. Në të njëjtën kohë, shtatzënia dhe amësia vazhdojnë të jenë ndër arsyet më të shpeshta për diskriminimin e grave në punësim. Kjo ndodh sepse kujdesi vazhdon të konsiderohet punë e grave, ndërsa pasojat ekonomike të tij vazhdojnë të bien në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Përderisa burrat vazhdojnë të trajtohen si punëtorë, gratë vazhdojnë të trajtohen si kujdestare. Sa më shumë që kujdesi për fëmijët shihet si përgjegjësi e grave, aq më shumë gratë përballen me pasoja në tregun e punës. Aq më shumë ato shihen si punëtore “me rrezik” nga punëdhënësit. Aq më shumë thellohet hendeku ekonomik mes grave dhe burrave.

Kjo qasje bie ndesh me drejtimin që po ndjek Bashkimi Evropian. Përmes Direktivës për Balancën mes Jetës Profesionale dhe Asaj Familjare, BE-ja promovon lejen e atësisë dhe lejen prindërore si mekanizma për ndarjen më të barabartë të kujdesit dhe për reduktimin e diskriminimit të grave në tregun e punës. Si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova pritet ta harmonizojë legjislacionin e saj me acquis të BE-së, përfshirë edhe këtë direktivë. Megjithatë, masa e propozuar nuk duket se angazhohet me asnjërën prej këtyre sfidave. Ajo nuk adreson mënyrën se si ndahet kujdesi brenda familjes, nuk sfidon normat që e lidhin kujdesin kryesisht me gratë dhe nuk ofron ndonjë mekanizëm për të reduktuar diskriminimin që gratë përjetojnë në tregun e punës për shkak të amësisë.

Megjithatë, ndikimi i mundshëm i kësaj mase nuk kufizohet vetëm në tregun e punës apo në mënyrën se si ndahet kujdesi për fëmijët brenda familjes. Ekziston edhe një dimension tjetër që mungon pothuajse tërësisht nga ky diskutim. Vendimet për të pasur fëmijë nuk merren në vakum. Ato ndikohen nga kushtet ekonomike, nga normat shoqërore, nga marrëdhëniet e pushtetit brenda familjes dhe nga niveli i autonomisë që gratë kanë mbi jetën e tyre. Jo të gjitha gratë marrin vendime nga pozita të njëjta fuqie. Për disa gra, vendimet riprodhuese ndikohen nga pasiguria ekonomike. Për të tjera, nga presioni familjar. Për të tjera, nga kontrolli ekonomik apo dhuna në familje. Megjithatë, asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk duket se ka qenë pjesë e debatit publik apo e arsyetimit që e ka shoqëruar këtë masë.

Politikat që synojnë të ndikojnë jetën e familjeve dhe vendimet për të pasur fëmijë kërkojnë analiza, dëshmi dhe vlerësim të ndikimit gjinor.           Kur një politikë ndërhyn në jetën e grave, nuk mjafton të dimë sa para do të shpërndahen. Duhet të dimë edhe se çfarë marrëdhëniesh pushteti po përforcon dhe çfarë realiteti po krijon. Nëse shteti dëshiron më shumë lindje, por vazhdon ta trajtojë kujdesin si përgjegjësi të grave; nëse dëshiron më shumë fëmijë, por nuk adreson diskriminimin që gratë përjetojnë për shkak të amësisë; nëse është i gatshëm të financojë lindjen e fëmijëve, por jo të sfidojë kushtet që i mbajnë gratë jashtë tregut të punës, atëherë kemi të drejtë të pyesim se çfarë po mbështetet në të vërtetë.

Përderisa burrat vazhdojnë të trajtohen si punëtorë, gratë vazhdojnë të trajtohen si kujdestare. Përderisa kujdesi shihet si përgjegjësi e grave, pasojat ekonomike të tij vazhdojnë të bien mbi gratë. Përderisa amësia vazhdon të konsiderohet çështje private e grave, diskriminimi ndaj tyre në tregun e punës vazhdon të prodhohet dhe riprodhohet.

Sa më shumë që kujdesi për fëmijët lidhet ekskluzivisht me gratë, aq më shumë thellohet hendeku ekonomik mes grave dhe burrave. Aq më shumë normalizohet ideja se çmimi i prindërimit duhet të paguhet kryesisht nga gratë.

Në fund, pyetja nuk është nëse 500 euro do t’u ndihmojnë familjeve. Me shumë gjasë po.

Pyetja është nëse kjo politikë po investon në barazi apo po menaxhon pasojat e pabarazisë.

Sepse një shtet që financon lindjet, por jo ndarjen e kujdesit; që mbështet amësinë, por jo autonominë ekonomike të grave; që subvencionon foshnjat, por jo barazinë, nuk po transformon marrëdhëniet gjinore. Vetëm po i administron ato.

Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë debati publik.

Më mungon dikush që nuk e takova kurrë

9.6.2026

Ka dhimbje për të cilat flasim. Dhe ka të tjera që mbeten t

Ideologjia anti – gjinore  në diskursin e përditshëm në Kosovë

2.6.2026

Ekstremizmi i krahut të djathtë, një shqetësim në rritje anembanë Evropës, karakterizohet nga autori

Gratë, kujdesi dhe kufizimet e transportit

19.5.2026

Ideja e “udhëtimit” shpesh është shumë e thjeshtuar për të përshkruar atë që në të vërtetë e përbën

Shteti i familjes është shtet mbi kurrizin e grave

27.3.2026

Pas një bllokade të gjatë institucionale, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë më 11 shkurt 2026. Një nga sinj

Përnimepauza

27.1.2026

Kish ardh koha për kontrollën rutinore të Llunës te veterinari. Në klinikë, mbërritëm me kerrin tem

Paradoksi gjinor në arsimin e lartë

23.12.2025

Përfshirja e grave në arsim ka qenë historikisht një proces i ndërprerë dhe i kushtëzuar nga struktu