Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

Blenda Asllani 18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për ngacmimin seksual dhe sulmin seksual. Ndonëse ky fenomen ka qenë tejet i përhapur, përgjatë këtyre viteve as nuk është pranuar e as nuk është diskutuar për të.

Derisa ngacmimi seksual po vazhdonte të heshtej, një deklaratë e prorektores së atëhershme të Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina-Krasniqi, në marsin e vitit 2018 trazoi opinion publik. Ajo u kishte bërë thirrje studenteve të kujdeseshin për paraqitjen, meqë sipas saj veshja provokative “ka efekt psikologjik dhe mund të ndikojë negativisht në ambientin ku studentët mbajnë ligjërata”.

Këto deklarata nxitën reagime të studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët përmes aksioneve simbolike kërkuan që prorektorja Prustina-Krasniqi të shkarkohej dhe universiteti të kërkonte falje publike për mosreagimin ndaj rasteve të ngacmimit dhe sulmit seksual.

Si rezultat, prorektorja u shkarkua dhe për herë të parë u hap debati publik lidhur me nevojën e krijimit të mekanizmave të brendshëm për trajtimin e rasteve të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale brenda universitetit.

Kështu, universiteti filloi angazhimin për të themeluar një grup punues i cili do të hartonte politikat e brendshme të universitetit për të parandaluar, adresuar dhe trajtuar rastet e ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale.

Grupi punues i cili përbëhej nga disa profesorë/e universitarë, përfaqësues/e të studentëve dhe aktivistë/e të shoqërisë civile, punoi rreth 2 vite në hartimin e Rregullores e cila u miratua më 22 prill 2021 nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Rregullorja për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, është një dokument 10 faqësh që ka për qëllim parandalimin dhe mbrojtjen e studentëve, stafit akademik, joakademik dhe atij administrativ nga ngacmimi dhe sulmi seksual, si dhe përcaktimin e adresimit dhe trajtimit të rasteve të tilla. Ky dokument përbëhet nga Parimet e Përgjithshme dhe 15 nene, si dhe zbatohet nga Këshilli i Etikës.

Se UP është ambient i pasigurt e jo miqësor, sidomos për vajzat dhe gratë, na u dëshmua edhe njëherë me publikimin e hulumtimit “Ngacmimi seksual kalon pa u ndëshkuar në Universitetin e Prishtinës” në KOSOVO 2.0. Hulumtimi tregon rezultate të një ankete të realizuar me mbi 300 studente e studentë, 100 prej të cilave/ëve thanë se kanë përjetuar ngacmim seksual. Po ashtu, shpalos përvoja të hollësishme të të mbijetuarave të abuzimit seksual në UP, përfshirë studente dhe ish-studente.

Hartimi i Rregullores është një hap i rëndësishëm, meqë përmes saj universiteti ka pranuar ekzistencën ngacmimit seksual. Megjithatë, rezultatet shqetësuese të hulumtimit nga KOSOVO 2.0 na bëjnë që të kthejmë vëmendjen kah kjo Rregullore.

Rregullorja përmban gabime në formulimet gjuhësore dhe përfshin disa nene që janë veçanërisht problematike të cilat sfidojnë efektivitetin e saj dhe të cilat duhet të adresohen sa më parë.

Neni 9 i Rregullores së Universitetit të Prishtinës përcakton mënyrat përmes së cilave personat mund të ngrisin shqetësime dhe të denoncojnë raste të ngacmimeve/ngacmimeve seksuale. Megjithatë, ka disa problematika që burojnë nga ky nen, nisur nga dispozita rreth denoncimit joformal, në të cilën nuk lejohet që zyrtari/ja të ndërmarrë ndonjë veprim ndaj ngacmuesit derisa denoncimi të formalizohet ose derisa zyrtari/ja të vlerësoj se subjekti raportues është në rrezik imanent.

Nëse për cilatdo arsye nuk mundesh me raportu formalisht ngacmimin seksual apo sulmin seksual, të duhet të presësh deri sa mëshira e zyrtarit/es të vlerësoj nëse je në rrezik ose jo. Derisa zyrtari/ja nuk vlerëson se je në rrezik imanent, ti mund të ngacmohesh a sulmohesh seksualisht vazhdimisht.

Për të vazhduar me problematikën kryesore të krejt Rregullores, me pikën 5 të Nenit 9, e cila afatizon denoncimin e ngacmimit seksual. “Subjekti raportues mund të paraqesë denoncimin për ngacmim ose ngacmim seksual sipas kësaj Rregulloreje, jo më vonë se një (1) vit nga dita e ndodhjes së shkeljes”, thuhet në Rregullore.

Limitimi i afatit të denoncimit në vetëm një vit nuk merr parasysh faktin se viktimat e ngacmimit, ngacmimit seksual apo sulmit seksual mund të përjetojnë frikë, turp ose ndjenja të tjera që i pengojnë ato të flasin hapur për përvojat e tyre. Ato/ata mund të ndjehen të frikësuar nga pasojat profesionale, akademike ose stigmatizimi shoqëror që mund të pësojnë si rezultat i raportimit. Mund të kalojë kohë para se një person të ndjehet gati për të folur për përvojën e saj/tij, dhe afati i një vitit mund të përfundojë para se ata të marrin këtë vendim. Ky kufizim kohor është përcaktim që pengon raportimin e ngacmimeve/ngacmimeve seksuale dhe lë shumë të mbijetuar/a pa mundësinë për të kërkuar drejtësi.

Sipas disa prej antarëve të grupit punues në hartimin e Rregullores, ky afat është vendosur arbitrarisht nga universiteti meqë ata gjatë punimeve nuk ishin dakorduar për të.

Ndonëse Rregullorja e njeh Ligjin kundër Diskriminimit askund në të nuk theksohet se kërkesa për drejtësi nuk merr fund as në universitet as në kufizimin një vjeçar, meqë sipas këtij ligji viktimat kanë të drejtë të denoncojnë rastin në Policinë e Kosovës, ose të paraqesin padi pranë Gjykatës Themelore deri në 5 vjet prej ditës kur ka ndodhur rasti.

Një shkarje e ngjashme haset gjatë krejt dokumentit. Ndonëse Kodi i vjetër Penal i Republikës së Kosovës nuk e parashihte shprehimisht ngacmimin seksual si vepër penale, kur është aprovuar Rregullorja ka qenë në fuqi Kodi i ri Penal (publikuar në Gazetën Zyrtare më: 14 janar 2019), megjithatë ky dokument në 10 faqe tekst askund nuk përmend se ngacmimi seksual paraqet vepër penale të dënueshme, por me Nenin 13 kujdeset që në një nen të tërë të theksoj se denoncimi i rrejshëm është vepër penale.

Pika 1 e Nenit 12, përcakton masat për shkeljet diciplinore dhe masa e parë si për studentët që kryejnë shkelje diciplinore ashtu edhe për stafin e UP është paralajmërimi për suspendim/përjashtim. Për çka me e paralajmëru një ngacmues seksual a sulmues? Me e paralajmëru se falet hera e parë e ngacmimit a sulmit seksual? Mundësia e ofrimit të një paralajmërimi për çdo shkelje të parë, krijon atmosferë ku çdo ngacmues potencial mund të ndjehet i mbrojtur duke pas parasysh se gjithçka mund të zgjidhet me një paralajmërim të thjeshtë. Kjo krijon precedent faljeje dhe i kontribuon zhvillimit të veprimeve abuzuese të përsëritura.

Neni 4 i Rregullores përkufizon konceptet që përmenden në Rregullore si ngacmimi, ngacmimi seksual, shkelja e dinjitetit, barazia gjinore etj. Definimi i barazisë gjinore ngushtohet vetëm në mes të burrave e të grave. Derisa në përkufizim nuk është implikuar seksi biologjik, ashtu si në Ligjin për Barazi Gjinore (Nr. 05/L -020), atëherë ky përkufizim sygjeron se vetëm burrat dhe gratë janë të mbrojtur nga ngacmimet seksuale, duke lënë jashtë individët me identitete të tjera gjinore, si personat jobinarë. Kjo mungesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse jo vetëm që krijon pabarazi, por edhe ndikon në mosnjohjen dhe mospërfaqësimin e të drejtave të njerëzve me identitete gjinore të ndryshme prej burrave dhe grave, duke i lënë ata pa mbrojtje.

Poashtu, ky nen nuk përcakton qartë se çka është një kompliment dhe fokusohet vetëm te “barsoletat mbi veshjen, anatominë ose dukjen fizike”, duke lënë të pa qartë nëse shprehje si ‘po dukesh bukur’ nga një profesor/e, thënë pa barsoletë apo përqeshje, konsiderohen ngacmime seksuale verbale ose jo, sepse si i tillë do të duhej të konsiderohej.

Rregullorja teksa kalon nga Neni 4, i cili përcakton konceptet tek Neni 5, kapërcen një hap shumë të rëndësishëm, nuk ka asnjë nen a nënpikë të ndonjë neni që përcakton se kush mund të jetë viktimë e ngacmimit ose sulmit seksual. Pa një përcaktim të qartë, mund të krijohet ideja se vetëm grupe të caktuara rrezikohen nga ngacmimit seksual e poashtu mund të çojë në anashkalimin e faktit se ngacmimi seksual mund të ndodhë edhe mes individëve të së njëjtës gjini.

Tutje, pika e 4-të e Nenit 5, përcakton informimin nëpër hapësirat e fakulteteve dhe njoftime për studentët e stafin lidhur me raportimin e rasteve, në formë parandalimi përmes edukimit.

Si studente e rregulltë që ka kaluar tashmë 2 vite në mjediset e Fakultetit Filozofik, nuk kam rastisur të shoh ndonjë formë të tillë të informimit mbi mënyrat e raportimit, qoftë në një trajnim apo ndonjë takim joformal organizuar nga menaxhmenti i departamentit/fakultetit/universitetit, organizatat studentore apo organet përfaqësuese të studentëve.

Neni 7 i Rregullores parashikon emërimin e një zyrtari për mbrojtje nga ngacmimi dhe ngacmimi seksual, i/e cila ka përgjegjësi për informim, këshillim dhe pranimin e denoncimeve. Megjithëse roli i një zyrtari të tillë është i rëndësishëm dhe ka për qëllim të ofrojë një pikë të qendrueshme të kontaktit dhe ndihmës për të mbijetuarit e ngacmimit/sulmit seksual, ky model i centralizuar është sfidues, sidomos kur e dimë se zyrtarja është e angazhuar edhe në funksione të tjera brenda universitetit. Universiteti duhet të konsiderojë mundësitë për të diversifikuar e shpërndarë përgjegjësitë, ashtu që të lehtësohet procesi i këshillëkërkimit, adresimit dhe raportimit të ngacmimeve/sulmeve seksuale.

Si dhe, Neni 8 i Rregullores përcakton përgjegjësitë për stafin akademik, joakademik dhe administrativ në rast të vërejtjes së sjelljeve të padëshirueshme. Sipas këtij neni, personi që vëren këtë duhet të kërkojë ndalimin e sjelljes së padeshirueshme dhe të informojë palën e prekur për të drejtën e paraqitjes së denoncimit. Megjithatë, nuk specifikon se çfarë ndodh nëse një anëtar i stafit nuk ndjek këto udhëzime. Kjo mungesë e specifikimit të pasojave mund të krijojë një hapësirë për mosveprim, meqë nuk ka ndonjë sanksion të qartë për ata që shpërfillin përgjegjësitë e tyre.

Si të veprohet tutje?

Ngacmuesit seksualë nuk kanë vend në UP. Amandamentimi i Rregullores është rruga përmes së cilës duhet të nisim luftën kundër ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale ashtu që të garantohet siguria, respektimi i dinjitetit, integritetit seksual e përgjithësisht të drejtat themelore të studentëve në UP. Veprimet që duhet të ndërmerren menjëherë janë si vijon:

1. Publikimi i vendimeve të Këshillit të Etikës për rastet e ngacmimit seksual ose sulmit seksual të cilat janë trajtuar deri më sot.

2. Eleminimi i afatit kohor prej një viti për denoncim, ose së paku shtyerja e këtij afati deri në 5 vjet.

3. Ndjekja e masave të rrepta për ngacmuesit dhe sulmuesit seksual dhe denoncimi i tyre tek organet shtetërore të drejtësisë.

4. Rregullorja duhet të qartësoj se me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Neni 183 – ngacmimi seksual paraqet vepër penale. Për më tepër, pika 3 e këtij neni precizon rastet e abuzimit me pushtetin në rastin kur ngacmuesi/sulmuesi seksual është i veshur me autoritet në raport me viktimën, poashtu e dënueshme 6 muaj – 3 vjet burgim.

5. Hartimi i një strategjie afatagjate e cila ka për qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin e studentëve dhe stafit të UP duke përfshirë edhe informacione lidhur me mundësinë për të raportuar rastin në Polici dhe Gjykatë Themelore.

6. Shtimi i një neni që përcakton specifikisht se kush mund të jetë viktimë e ngacmimit apo sulmit seksual. Universiteti mund të përdor si shembull një Rregullore që trajton të njejtën çështje: “Politikat kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike të Republikës së Kosovës”, e cila me Nenin 4 paracakton se kush mund të jetë viktimë e ngacmimit dhe sulmit seksual.

7. Përpunimi dhe avancimi i definicionit për barazinë gjinore. Një mundësi është që barazia gjinore të definohet sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

8. Të konsiderohet krijimi i një ekipi të zyrtarëve a një grupi profesional që pranojnë raportimet, ofrojnë këshilla dhe trajtojnë rastet e raportuara, në vend të një zyrtari/je të vetme.

9. Specifikimi i Nenit 8 lidhur me atë se se çka ndodh nëse një anëtar i stafit nuk ndjek udhëzimet që ky nen përcakton. A ka konsekuenca lidhur me mosveprimin kur ata janë në dijeni?!

Mosadresimi i mangësive të Rregullores i kontribuon vec normalizimit të abuzimit me pushtetin në formën e sulmit a ngacmimit seksual, legjitimimit të kulturës së mbrojtjes dhe amnistimit të abuzuesve.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

25.10.2023

"Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e fri