Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Ktheni kamerat kah burrat!

Leonida Molliqaj 5.10.2026

Pse ishin aty? Pse pranuan? Pse bënë seks me të? Sa gra ishin? A e dinin? A kishin partnerë të tjerë? Prej gjithë asaj që ka qarkulluar këto ditë rreth videove intime nga Shqipëria, këto janë pyetjet që më kanë mbetur më shumë në mendje. Brenda pak orësh, filloi të kërkohej emri i gruas tjetër, historia e saj, arsyet pse kishte qenë aty. Sa më shumë i kam parë këto reagime, aq më qartë më është dukur se çështja nuk mbaron te cenimi i privatësisë.

Në fakt, këto “pse-ja” duhet t’i drejtojmë tjetër kah. Pse u regjistruan këto pamje? Kush vendosi t’i ruante? Kush pati qasje në to? Kush i hodhi në qarkullim? Kush vendosi se intimiteti i dikujt tjetër mund të shndërrohej në material publik? Pse, kur ndodh një cenim i tillë, instinkti ynë i parë është të kërkojmë shpjegime nga gratë dhe jo përgjegjësi nga ata që e kanë bërë të mundur ekspozimin?

Përpara se të shkoj më tej, ia vlen të ndalemi te ajo që dimë deri tani për vetë rastin. Në videot intime që janë publikuar dhe shpërndarë këto ditë në Shqipëri shfaqet kompozitori Adrian Hila dhe disa gra, përfshirë figura publike. Rasti tashmë është objekt i një hetimi penal ku Hila është marrë në pyetje nga Krimet Kibernetike dhe është proceduar në liri për veprën penale “Ndërhyrje e padrejtë në jetën private”, lidhur me vendosjen e kamerave në ambientin e tij. Ai ka deklaruar se kamerat ishin vendosur për arsye sigurie dhe se nuk kishte dijeni për publikimin e materialeve. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar se si videot përfunduan në internet, kush i publikoi dhe kush i shpërndau.

Por, përtej asaj që do të përcaktojë hetimi, më shqetëson kjo “pse-ja” që përsëritet pothuajse sa herë një gruaje i ndodh ndonjë formë e dhunës. Pse kishte veshur fustan? Pse kishte dalur natën? Pse nuk iku? Pse nuk reagoi? Pse nuk e denoncoi menjëherë? Pse vazhdoi të fliste me të? Pse heshti kaq gjatë? E kemi dëgjuar aq shpesh në rastet e dhunës me bazë gjinore sa pothuajse na duket pyetje e natyrshme sepse përpara se një grua të marrë mbrojtjen tonë, asaj i kërkohet të dëshmojë se është viktima e duhur. Të jetë mjaftueshëm e pafajshme, mjaftueshëm e mashtruar, mjaftueshëm monogame, mjaftueshëm e turpëruar. Aty ku gruaja ka dëshiruar, ka zgjedhur, ka eksperimentuar, solidariteti fillon të bëhet më i pasigurt. 

Pikërisht për këtë nuk dua ta lexoj këtë rast vetëm si cenim privatësie. Sepse po të ndalemi vetëm aty, rrezikojmë të themi se problemi është se publiku pa diçka që duhej të mbetej e fshehur, ndërsa pyetja më e vështirë është pse ajo që pamë ka kaq shumë fuqi mbi reputacionin e një gruaje. Pse seksi vazhdon të jetë një episod në jetën e një burri, por kaq lehtë bëhet biografi morale e një gruaje? Për një burrë, një histori seksuale mund të ekzistojë krahas profesionit, karakterit, familjes, punës dhe çdo pjese tjetër të jetës së tij pa u shndërruar domosdoshmërisht në çelësin përmes të cilit lexojmë gjithçka tjetër. Përvoja seksuale mashkullore madje mund të vazhdojë të lexohet si status apo pushtet. Tek gratë, i njëjti fakt shumë më lehtë përdoret për të nxjerrë përfundime për seriozitetin, besueshmërinë, moralin, aftësinë për të qenë partnere, nënë apo figurë publike. 

Edhe reagimi i disa grave që u përmendën publikisht në këtë histori më ka bërë të mendoj për forcën e kësaj stigme. Disa nxituan të sqarojnë se nuk janë pjesë e videove, të distancohen dhe të mbrojnë emrin e tyre. Natyrisht, është e kuptueshme pse një grua dëshiron ta bëjë këtë në një shoqëri ku vetëm insinuata mund t’i kushtojë me reputacionin, marrëdhënien apo punën. Por vetë urgjenca për ta bërë distancimin publik tregon sa i fuqishëm është mekanizmi. Kështu stigma arrin diçka më shumë se poshtërimin e grave që janë në qendër të saj; u mëson grave të tjera se siguria e tyre varet edhe nga aftësia për t’u dalluar prej tyre. 

Nuk është rastësi që kjo funksionon kaq lehtë. Seksualiteti i grave ka qenë prej kohësh një nga hapësirat ku familja, komuniteti, feja, shteti dhe media kanë pretenduar të kenë të drejtë të përcaktojnë kufijtë. Patriarkati nuk kërkon domosdoshmërisht që gratë të mos kenë dëshirë seksuale, por që dëshira e tyre të mbetet e kontrollueshme, me personin e duhur, në marrëdhënien e duhur, në formën e duhur dhe mundësisht pa u bërë shumë e dukshme. 

Kur një video intime bëhet publike, ky aparat moral nuk krijohet nga zero por vetëm merr një objekt konkret mbi të cilin mund të ushtrohet. Seksualiteti i një gruaje nuk ka nevojë të incizohet apo të publikohet për të qenë i vërtetë. Publikimi thjesht ia ndryshon statusin shoqëror. Nga një përvojë private mbi të cilën ajo kishte një shkallë kontrolli, ai hyn në një hapësirë ku mijëra njerëz pretendojnë të drejtën ta interpretojnë. Fillojnë të numërohen partnerët, të rindërtohen marrëdhëniet, të prodhohen histori për karakterin. Ekspozimi, në këtë kuptim, më shumë se cenim i privatësisë është çasti kur një fragment i jetës tënde shkëputet nga ti dhe bëhet material me të cilin të tjerët ndërtojnë një histori për atë se kush je.

Kjo është edhe arsyeja pse pëlqimi nuk mund të reduktohet në një “po” ose “jo” të vetëm. Pëlqimi nuk është autorizim që, pasi jepet një herë, mbulon çdo gjë që vjen më pas. Një person mund të pranojë marrëdhënien seksuale dhe të mos pranojë filmimin; mund të pranojë filmimin dhe të mos pranojë ruajtjen e materialit; mund të jetë dakord që një material të ekzistojë dhe të mos pranojë kurrë që ai të publikohet. Një grua mund ta ketë dashur çdo sekondë të një marrëdhënieje seksuale dhe kjo nuk e zvogëlon aspak të drejtën e saj për të përcaktuar kush ka të drejtë ta shohë atë. Në fakt, pikërisht kjo është autonomia, jo vetëm liria për të zgjedhur por edhe kontrolli mbi kufijtë që i vendosë ti.

Por ka edhe një pyetje tjetër që më duket se po e shmangim. Çfarë do të thotë të shohësh një material që e di se personi në të nuk ka dashur ta shohësh? Çfarë do të thotë ta kërkosh, ta shkarkosh, ta ruash apo t’ia dërgosh dikujt tjetër? Është shumë e lehtë ta vendosim gjithë përgjegjësinë te personi që e ka publikuar materialin për herë të parë dhe ta mendojmë publikun si një turmë pasive që thjesht “e gjeti” videon. Por dhuna digjitale merr përmasë pikërisht përmes qarkullimit. Secili kërkim për videon tjetër, secili dërgim në një grup privat, secili ringarkim ia zgjeron audiencën cenimit.

Pikërisht këtu lind shqetësimi i madh nga mënyra se si një pjesë e mediave dhe disa figura publike e kanë trajtuar rastin. Në vend të kujdesit që do të kërkonte një situatë e tillë, kemi parë tituj që premtojnë emrin e gruas së radhës, pamjet e radhës; njerëz të njohur që e kanë kthyer rastin në batutë, cinizëm, ironi dhe komente ku neveria ndaj grave shprehet pothuajse si qëndrim moral. Në një emision televiziv në Kosovë, një gazetar foli publikisht se kishte parë njërën prej videove dhe tha se nuk mund ta shfaqnin ne televizion “duke marrë parasysh që jemi në mesditë”. Problemi etik në një formulim të tillë zhvendoset në mënyrë absurde te ora kur mund të transmetohej materiali, jo te fakti që bëhet fjalë për përmbajtje intime dhe për të drejtat e personave të përfshirë. 

Ajo që më duket veçanërisht problematike është se humori dhe cinizmi e bëjnë cenimin të duket më i vogël. Pastaj vijnë komentet poshtë, sharjet, gjuha degraduese, komentet mbi trupin, thirrjet për videon tjetër. Portali prodhon kureshtjen, figura publike e normalizon me humor ose cinizëm, publiku e shumëfishon me komente dhe shpërndarje. Linçimi nuk është më veprim individual por bëhet proces kolektiv. Këtu morali patriarkal takohet shumë lehtë me ekonominë e platformave. Stigma bëhet angazhim ndërsa poshtërimi shikueshmëri.

Duhet të bëhet edhe dallimi mes asaj që është publike dhe asaj që është në interes publik. Të qenit artiste, këngëtare apo figurë publike nuk e bën jetën seksuale të një gruaje pronë publike. Interes publik mund të ketë te mënyra se si janë siguruar e shpërndarë materialet, te pyetja nëse është cenuar pëlqimi, te përgjegjësia e personave të përfshirë, te reagimi i institucioneve dhe te mënyra se si platformat dhe mediat reagojnë ndaj shpërndarjes së tyre. Nuk ka interes publik në pozicionet seksuale të një gruaje. 

Ky rast nuk është as i ri dhe as lokal. Në vitin 2014, kur fotografitë intime të Jennifer Lawrence dhe dhjetëra grave të tjera u vodhën dhe u publikuan online, një prej reagimeve të menjëhershme ishte se ato nuk duhej t’i kishin bërë fare ato fotografi. Pesë vjet më vonë, publikimi pa pëlqim i fotografive intime të kongresistes amerikane Katie Hill u ndërthur me një proces publik e politik rreth marrëdhënieve të saj dhe përfundoi me dorëheqjen e saj. Ndërsa në Korenë e Jugut, filmimet e fshehta të grave në hapësira intime morën përmasa të tilla sa dhjetëra mijëra gra dolën në protesta nën sloganin “My Life Is Not Your Porn”. Ajo që më duket se i bashkon këto raste është se, sapo një material intim del nga hapësira private, historia fillon të jetojë më gjatë se vetë ngjarja. Ajo riciklohet, rikthehet, lidhet me emrin e gruas dhe bëhet pikë reference sa herë flitet për të.

Mendoj se edhe reagimi feminist duhet të bëjë kujdes të mos bjerë në kurthin tjetër. Nuk mjafton të themi se gratë duhet të mbrohen sepse këto pamje janë private. Sepse nëse e lëmë argumentin aty, mund të vazhdojmë ta pranojmë në heshtje premisën se vetë seksi është turpërues. Ka ardhë momenti ta vëmë në pikëpyetje edhe vetë turpin. Në reagimin e saj publik, Eli Fara e formuloi pikërisht këtë përmbysje duke thënë se është e lënduar nga cenimi i privatësisë dhe nga gjykimet që ka pasuar, por se nuk ka arsye të turpërohet. Turpi, thotë ajo, u përket atyre që kanë filmuar dhe shpërndarë materialet, jo gruas që është ekspozuar. Më duket e rëndësishme kjo zhvendosje, sepse refuzon logjikën sipas së cilës gruaja duhet të mbajë mbi vete jo vetëm dëmin e cenimit, por edhe barrën morale të tij.

Për mua, këtu fillon pjesa më e vështirë, por edhe më e rëndësishme, e kësaj bisede. A jemi në gjendje ta mbrojmë një grua edhe kur ajo nuk i plotëson kushtet tona për të qenë e respektueshme? Edhe kur ka dashur seksin? Edhe kur ka pasur shumë partnerë? Edhe kur ka bërë diçka që ne personalisht nuk do ta bënim? Sepse gratë nuk kanë nevojë të jenë të pafajshme për të pasur të drejta. Nuk duhet të jenë monogame, të turpëruara, të penduara apo seksualisht të përmbajtura që privatësia dhe dinjiteti i tyre të vlejnë. Një feminizëm që mund të mbrojë vetëm gruan “e mirë” nuk e ka rrëzuar logjikën e respektueshmërisë; vetëm ka negociuar se cilat gra mund të shpëtojnë prej saj.

Liria seksuale nuk fillon kur ne u japim grave leje të bëjnë ato zgjedhje që na duken neve të pranueshme. Fillon kur pranojmë se ato nuk na detyrohen me shpjegim për zgjedhjet e tyre. Dhe reagimi ndaj këtyre videove, më shumë se çdo gjë që ato mund të kenë treguar, na ka zbuluar sa larg jemi ende prej kësaj.

Ndoshta ajo që duhet të ndryshojë në fund nuk është vetëm mënyra si flasim për këto video, por drejtimi i kamerës. Ktheni kamerat kah burrat. Sepse gratë janë parë mjaftueshëm; ajo që ende nuk po shohim sa duhet është pushteti që vendos se kush ka të drejtë t’i shohë, t’i ekspozojë dhe t’i gjykojë.

500 euro për të lindur. Po për të qenë e barabartë?

12.6.2026

Një javë më parë linda fëmijën tim të dytë. Kjo do të thotë se jam pikërisht personi që duhej ta mir

Gratë në siguri përtej përfaqësimit

11.6.2026

Debati për gratë në institucionet e sigurisë artikulohet pothuajse gjithmonë rreth të njëjtit qëllim

Më mungon dikush që nuk e takova kurrë

9.6.2026

Ka dhimbje për të cilat flasim. Dhe ka të tjera që mbeten t

Ideologjia anti – gjinore  në diskursin e përditshëm në Kosovë

2.6.2026

Ekstremizmi i krahut të djathtë, një shqetësim në rritje anembanë Evropës, karakterizohet nga autori

Gratë, kujdesi dhe kufizimet e transportit

19.5.2026

Ideja e “udhëtimit” shpesh është shumë e thjeshtuar për të përshkruar atë që në të vërtetë e përbën

Shteti i familjes është shtet mbi kurrizin e grave

27.3.2026

Pas një bllokade të gjatë institucionale, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë më 11 shkurt 2026. Një nga sinj