Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Punë n’punë e punë n’shpi

Riola Morina 8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që personat ofrojnë pa marrë kompensim monetar. Puna e papaguar merr forma të ndryshme, ku ndër më të shpeshtat janë punët e shtëpisë e përgjegjësitë e kujdesit. Si e tillë, në shoqëri ku grave u imponohet izolimi në hapësira private, barra e punës së papaguar rëndon në mënyrë disproporcionale mbi to.

Përtej lodhjes fizike e mendore, implikimet e punës së papaguar prejnë edhe përmes çështjeve ekonomike e sociale, në nivel individual, familjar e shtetëror. Shpesh koha dhe energjia e grave e shpenzuar në punë të papaguaru kufizon atyre mundësitë për t’u angazhuar në punë të paguar me orar të plotë a pjesshëm. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore 2022, në Kosovë arsyet e të punuarit me orar të pjesshëm dallojnë midis burrave dhe grave, këto të fundit, pohojnë se marrja përsipër e rolit të kujdestares brenda familjes u redukton orët në dispozicion për punësim. Ky është vetëm një prej ilustrimeve të qasjes së kufizuar të grave në treg të punës.

Por edhe në rastet kur gratë punësohen, ajo që njihet si “ndërrimi i dytë”[1] zakonisht i çon ato në një rrugë me dy destinacione: aty ku për shkak të mbingarkesës me angazhime familjare shihen si të pa përkushtuara profesionalisht, ose aty ku fenomeni i të shkëlqyerit në të “dy ndërrimet” përfundon me rraskapitje.

Përgjatë vitit 2022, përqindja e punësimit të grave në Kosovë qëndron vetëm në 18%, në krahasim me atë të burrave në 49%. Në vitet 2021 e 2020 këto përqindje të punësimit të grave ishin edhe më të ulëta, me 16% e 14% respektivisht. Megjithatë, faktori shokues qëndron pikërisht në zbërthimin e këtij 18 përqindëshi. Të vetmet fusha ku gratë janë të përfaqësuara në punësim më shumë se burrat janë arsimi (22% e të punësuarave janë gra, ndërsa 6.6% janë burra) si dhe aktivitetet e shëndetit njerëzor dhe punës sociale (14.6% janë gra, ndërsa 3.1% janë burra). Kjo shpërfaq mënyrën se si rolet tradicionale gjinore të privates reflektohen pikë për pikë edhe në sferën publike.

Mirëpo, përpos rolit individual e familjar në zhvendosjen nga një shpërndarje e pabarabartë e punës së papaguar në një më të barabartë, nga rolet tradicionale në ato gjithëpërfshirëse, shteti dhe politikat publike paraqesin faktor kyç.

Aktualisht, në Kosovë puna e papaguar në shtëpi njihet në rastet e ndarjes së pronës. Bazuar në nenin 54, pika 1, nga Ligji për Familjen i Kosovës, vendimet e gjykatave me rastin e vendosjes në kontestet për pronën e përbashkët “duhen të bazohen në kontributin e bashkëshortëve, përmes vlerësimit të të gjitha rrethanave dhe jo duke marrë parasysh vetëm të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort, por edhe ndihmën e njërit prej bashkëshortëve të ofruar bashkëshortit tjetër, si kujdesin për fëmijët, udhëheqjen e punëve të shtëpisë, përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e pasurisë si dhe çfarëdo forme tjetër të punës dhe të bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët”. Megjithatë, tejzgjatja e proceseve gjyqësore në rastet e divorceve mund të ndikojë negativisht tek gratë kalojnë nëpër këtë proces.

Në anën tjetër rregullimi i pushimit prindëror e angazhimi për ofrim të kujdesit për fëmijët lënë shumë për të dëshiruar kur flasim për shpërndarje më të barabartë të punës së papaguar.

Sipas Ligjit të Punës, grave në Kosovë u takojnë deri në 12 muaj pushim pas lindjes, me nëntë prej këtyre muajve që kompensohen financiarisht. Burrave u takojnë tre ditë, pra vetëm 72 orë. Kjo është një prej arsyeve pse gratë shpeshherë hasin në ndërprerje të karrierës, gjë e cila  mund të pengojë zhvillimin e një trajektoreje të vazhdueshme dhe progresive profesionale. Këto boshllëqe në punësim gabimisht përkthehen si mungesë përkushtimi, që rrjedhimisht u vështirëson grave përparimin në punësim e arritjen në pozita udhëheqëse.

Sipas anketës nga UBO Consulting për IPS Musine Kokalari, 72% e qytetarëve të Kosovës besojnë se baballarët duhet të marrin 4 deri 6 muaj pushim prindëror dhe të qëndrojnë në shtëpi në vitin e parë të jetës së foshnjës së tyre, nëse nuk do të kishin pasoja në vendin e punës (shkëputje e kontratës ose largim nga puna) dhe nëse qeveria do ta përkrahte financiarisht pushimin prindëror. Kjo gjetje tregon për një trend pozitiv të idesë mbi ndarjen e barabartë të përgjegjësive të kujdesit mes prindërve.

Ndërkaq, numri i ulët i çerdheve dhe politikave afirmative në fushën e ofrimit të kujdesit vetëm sa përkeqësojnë situatën e krijuar nga qasja e kufizuar e grave në tregun e punës. Sipas hulumtimit “Who Cares” nga Rrjeti i Grave të Kosovës, më shumë se gjysma e të punësuarve të anketuar vareshin nga anëtarët e familjes që ofronin shërbime të kujdesit pa pagesë. Kjo mungesë e shërbimeve të kujdesit ngarkon edhe më shumë gratë, të punësuara e të papunësuara.

Edhe pse puna e papaguar nuk hynë në llogaritjet e Bruto Produktit Vendor (BPV), hulumtimi nga Instituti Musine Kokalari gjen se vlera e punës së papaguar të kujdesit përfaqëson 33% të BPV-së së Kosovës. Meqenëse kjo punë nuk konsiderohet si kontribut zyrtar në ekonomi, gratë si personat që kryejnë pjesën më të madhe të saj (6.2 orë në ditë ose 44% më shumë se burrat, sipas të njëjtit hulumtim nga IMK) nuk marrin përfitime si pensioni kontributiv. Sipas analizës gjinore, “Buxhetimi për Mirëqenie Sociale” nga Rrjeti i Grave të Kosovës, mesatarisht, gratë kosovare përbëjnë 67% të përfituesve të pensionit bazë, por vetëm 14.5% të përfituesve të pensionit kontributiv. Kjo mirëmban mjaft fort sistemin në të cilin gratë varen financiarisht nga partneri a familjarët tjerë, sistem me vazhdimësi të papenguar, nga lindja e deri në vdekje. Kjo varësi zbeh autonominë dhe fuqinë vendimmarrëse të grave, duke ndikuar në mirëqenien e tyre të përgjithshme ekonomike e duke përjetësuar pabarazitë gjinore në familje e shoqëri.

Norma e ligji ku vetëm gratë janë përgjegjëse për kujdesin e familjarëve e punët e shtëpisë janë armiq të qartë të luftës për barazi. E në anën tjetër, të gjitha shifrat e argumentet tregojnë se puna e papaguar është thelbësore për funksionimin e shoqërive. Si fillim, njohja dhe kuptimi i punës së papaguar me doemos duhet të jenë prioritete në çdo diskutim rreth politikave sociale dhe ekonomike. Ashtu si kërkesa për ndarjen e barabartë të punëve të shtëpisë.


[1] Barra e dyfishtë që shumë gra e përjetojnë kur angazhohen si në punë me pagesë jashtë shtëpisë, ashtu edhe në punë të papaguara brenda shtëpisë. Koncept i popullarizuar nga sociologia Arlie Hochschild në vitin 1989.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

25.10.2023

"Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e fri