Pas një bllokade të gjatë institucionale, Kuvendi e zgjodhi Qeverinë më 11 shkurt 2026. Një nga sinjalet e para politike ishte riorganizimi i ministrive, duke e ndarë portofolin e deritanishëm të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në dy dikastere të veçanta: Ministrinë e Financave dhe Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Në pamje të parë, kjo mund të shihet si ndarje kompetencash. Por në praktikë, është zhvendosje e gjuhës së shtetit nga mirëqenia sociale drejt familjes si kornizë qendrore e ndërhyrjes. Dhe këtu, pyetja feministe është e thjeshtë: kush e bart barrën? Sepse, historikisht, kur shteti ia zhvendos kujdesin shtëpisë, ai ia bartë grave punën, pa pagesë, pa pension, pa njohje, pa mbrojtje.
Në fakt, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve u krijua në vitin 2021 me formimin e Qeverisë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Me këtë riorganizim u shkrinë Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke u larguar nga koncepti i veçantë institucional i “mirëqenies sociale” që kishte ekzistuar që nga viti 2008 dhe duke e zhvendosur konceptualisht mirëqenien nga një shtyllë autonome drejt një kornize të menaxhimit buxhetor dhe transfereve.
Për një parti që na e ka paraqitur identitetin e saj si progresive e socialdemokrate, shtimi i familjes si element qendror ministror është i habitshëm, sepse më shumë ngjason me praktikat e qeverive të djathta dhe konservatorizmin sesa me traditën socialdemokrate të shtetit të mirëqenies.
Në fakt një tendencë të ngjashme e kemi parë edhe në mandatin e kaluar, kur kjo qeveri iu drejtua grave kryesisht në rolin e tyre si nëna. Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë ishin ndër politikat më të promovuara. Edhe pse këto masa mund të kenë ofruar lehtësim të përkohshëm financiar për familjet në Kosovë, ato nuk përbëjnë politika afatgjate që synojnë barazinë gjinore. Ato nuk e transformojnë pozitën strukturore të grave në tregun e punës, nuk luftojnë informalitetin, nuk adresojnë punën e papaguar të kujdesit e as nuk e zvogëlojnë varësinë ekonomike nga burrat.
Mirëqenia do të duhej të qëndronte në themel të organizimit ekonomik. Koncepti i mirëqenies, në traditën e majtë dhe socialdemokrate, lidhet me përgjegjësinë qe e ka shteti për të garantuar siguri sociale, punësim, mbrojtje nga varfëria, shërbime publike dhe barazi për të gjithë. Mirëqenia nënkupton që individi – jo familja si njësi – është bartës i të drejtave sociale.
Një shtet që i ndihmon gratë vetëm si nëna, por jo si punëtore, jo si profesioniste, jo si subjekt ekonomik i pavarur, riprodhon pabarazitë ekzistuese duke i përforcuar rolet gjinore tradicionale. Kjo është arsyeja pse mirëqenia është e pashkëputshme nga progresivja sepse progresivja pa autonomi ekonomike të grave është vetëm retorikë.
Shteti duhet ta socializojë kujdesin përmes shërbimeve publike, çerdheve të subvencionuara, politikave aktive të punësimit dhe mbrojtjes individuale sociale, e jo ta romantizojë rolin e nënës përmes transfereve monetare simbolike.
Në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si në Hungari dhe Poloni, ministritë e familjes janë përdorur për të promovuar politika pronataliste, për të inkurajuar lindshmërinë dhe për të forcuar modelin tradicional heteronormativ të familjes, shpesh duke e lidhur diskursin me vlerat kombëtare dhe identitetin kulturor.
Po ashtu, përfshirja e “vlerave çlirimtare” në këtë ministri është e pakuptimtë. Në mandatin e kaluar, qeveria nuk ka hartuar politika të lidhura me “vlerat çlirimtare”, e as në ekspozenë e kryeministrit nuk është argumentuar pse “vlerat çlirimtare” duhet të institucionalizohen si mandat ministror bashkë me familjen.
Bashkimi i familjes me vlerat çlirimtare sugjeron një përpjekje për ta lidhur identitetin kombëtar me modelin tradicional familjar, sikur familja të jetë bartësja natyrore e atyre vlerave.
Në thelb, më shumë se sa emërtim i një ministrie, kjo është çështje paradigme. Shteti, në traditën progresive, është projekt i emancipimit. Ai ndërhyn në ekonomi për të korrigjuar pabarazitë dhe për të çliruar individin nga varësitë strukturore – qoftë nga tregu, qoftë nga familja. Kur mirëqenia largohet nga qendra e ndërhyrjes institucionale, transformohet edhe vetë kuptimi i saj, duke kaluar nga një e drejtë sociale në një çështje të menaxhimit administrativ dhe buxhetor. Nga qytetarë me të drejta universale, rrezikojmë të kalojmë në subjekte të përcaktuara nga roli jonë brenda një strukture familjare normative. Kjo shënjon një kalim nga shteti qe do të duhet të ishte rishpërndarës te shteti moralizues.
Një projekt për qeverisje progresiste matet me shkallën e autonomisë ekonomike që u garanton qytetarëve, veçanërisht grave. Pa politika që rrisin punësimin, që institucionalizojnë ekonominë e kujdesit dhe që sigurojnë mbrojtje individuale, barazia mbetet veç deklarative. Një shtet që subvencionon rolet tradicionale dhe prioritizon familjen mbi mirëqenien, vetëm se stabilizon rendin ekzistues dhe i mirëmban raportet shtypëse të pushtetit.
Prandaj, beteja për mirëqenie më shumë sesa debat për politika sociale, është çështje e vet karakterit të shtetit.
Kosovës nuk i duhet një shtet që mirëmban identitete përmes normës familjare, por një shtet që prodhon drejtësi përmes barazisë dhe rishpërndarjes. Mirëqenia është instrument i universalizimit të dinjitetit. Në këtë kuptim, largimi i mirëqenies është zgjedhje politike për të administruar padrejtësinë në vend që ta transformojë atë.