Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

Rozafa Jahaj 31.10.2023

Dhuna në familje përfshinë një seri veprimesh abuzive që mund të jenë fizike, emocionale, psikologjike, seksuale dhe financiare. Kjo lloj dhunë ndodhë në kuadër të një marrëdhënie familjare ose intime dhe synon të ushtrojë kontroll mbi viktimën[1] (WHO, 2018). Ushtrimi i dhunës se tillë cenon tri të drejta themelore të njeriut:

  1. E drejta për jetë dhe siguri të personit, Neni 3 Deklarata Universale për të Drejta të njeriut (DUDNJ), Neni 6 dhe Neni 9 Pakti Ndërkombëtar për të drejta Civile dhe Politike (ICCPR)
  2. E drejta për barazi nga Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas (CEDAW) si dhe
  3. Ndalimi i torturës (CAT).[2]

Republika e Kosovës nuk bën përjashtim në problemin rajonal të rritjes së dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Kodi Penal i Republikës definon si vepër të penale dhunën në familje dhe atë në çfarëdo forme abuzimi, qoftë fizike, psikologjike, ekonomike apo seksuale që ndodhë brenda një marrëdhënie familjare (RKS, 2022) . “Dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga dhuna në familje në Kosovë janë paraparë me Kodin Penal, ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë për të Miturit dhe ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale”[3] (OSBE, 2018). Për më tepër, Projekti i Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026, së bashku me Planin e saj të Veprimit, paraqet një nga përpjekjet më të detajuara dhe të përmbledhura për të adresuar fenomenin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në Kosovë (RKS, 2022). Studimi i fenomenit të dhunës në familje tregon shpeshherë ndërlidhjen e dhunës në familje me dhunën me bazë gjinore për shkak të ndërthurjes së konsiderueshme midis këtyre dy fenomeneve. Në këtë rast do shqyrtojmë vetëm dhunën në familje, mirëpo nuk duhet të anashkalohet ngjashmëria evidente e cila lidhet me gjininë e viktimave. Në Kosovë besohet që mbi 80% të viktimave janë gra (QIKA, 2023).

Në këtë artikull do të thellohemi në statistikat dhe trendet e rasteve të dhunës në familje, të raportuara në Kosovë nga viti 2016 deri në vitin 2022, e dokumentuar në prokuroritë e Republikës se Kosovës. Duke dokumentuar dhe analizuar këto të dhëna, ne synojmë të nxisim një debat shoqëror dhe rrjedhimisht të identifikohen mundësitë për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në rajon. Gjatë analizimit të këtyre të dhënave është thelbësore të mirret parasysh se pas këtyre numrave qëndrojnë njerëz real, fatet e të cilëve janë prekur nga problemi strukturor i dhunës. Nëpërmjet një analize rigoroze të të dhënave të disponueshme dhe kuantitfikimit të problemit, synojmë të kuptojmë thellësinë e tij dhe të krijomë kanale që mundësojnë qasje më të lehtë në informata dhe të dhëna. Kjo e fundit mund të shërbejë si bazë për hulumtimet e ardhshme, me shpresë edhe bazë e zgjidhjeve të problemit.

Për më tepër, ne do të shqyrtojmë faktorët që kontribuojnë në vazhdimësinë e kësaj dhune brenda kontekstit shoqëror, kulturor dhe ligjor të Kosovës. Kuptimi i këtyre dinamikave komplekse është thelbësor për hartimin e strategjive dhe mekanizmave efektivë. Përmes njohurive dhe informimit, ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve kolektive, ne shpresojmë të kontribuojmë që në një të ardhme, statistikat që shqyrtojmë sot, të zëvendësohen me tregime për fuqizimin e të gjithë atyre që janë prekur nga dhuna në familje dhe në bazë gjinore.  Kemi nevojë për analiza që gërmojnë më thellë në të dhëna që janë të ndara sipas gjinisë, por edhe marrin parasysh tregues specifikë të kontekstit. Dallimet në rastet dhe raportimet e rasteve janë thelbësore për t’u analizuar në kombinim me indikatorët specifikë shpjegues. Kuptimi i këtyre variacioneve nevojitet për dizajnimin e politikave dhe ndërhyrjeve që synojnë përmirësimin e këtyre problemeve. Në mungesë të të dhënave që marrin parasysh treguesit specifikë rajonal, ashtu edhe të dhënat e ndara sipas gjinisë, shpjegimet e mundshme janë një grumbullim nga të dhënat sekondare të disponueshme. Në përgjithësi, është e rëndësishmt të përmendet se këta faktorë, edhe pse lidhen me rritjen ose uljen e dhunës në familje në një rajon, mund të analizohen me sukses vetëm në tërësi me të dhëna shtesë dhe teori përkatëse dhe nuk nënkuptojnë kauzalitet.

Statistikat për personat me kallëzime penale për dhunën në familje gjatë viteve 2016-2022

Të dhënat tregojnë një trajektore shqetësuese për rastet e dhunës në familje gjatë viteve 2016 deri më 2022. Në vitin 2016, pati 5,472 persona me kallëzime penale, ndërsa në vitin 2017 dhe 2018 vërehet numër më i vogël i lëndëve në punë për personat me kallëzime penale. Në vitin 2019 vërehet përsëri rritje e lëndëve në punë që trajtonë kallëzimet penale për dhunën në familje.  Në total gjatë viteve 2016-2022 në Prokuroritë e Kosovës kanë qenë gjithsej 20,728 persona me kallëzime penale.

Besohet se në vitet pandemike, ka pasur rritje globale të rasteve të dhunës në familje, gjë që i atribuohet masave që shkaktuan rritje të presionit emocional, izolimit shoqëror dhe abuzimit me substanca që besohet që janë të lidhura me dhunën në familje (The American Journal of Emergency Medicine, 2022). Por, si në të gjitha vendet tjera ka dallime përtej viteteve dhe treguesëve të tjerë.

Kallëzimet penale për dhunën në familje në Prokuroritë e Kosovës 2016-2022

Përderisa në intervalin e mbledhjes të të dhënave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe atë të Pejës janë trajtuar rreth 5 mijë kallëzime penale nga secila prokurori, të gjitha  prokuroritë tjera kanë pasur më pak se nga 2 mijë raste. Shumë faktorë mund të kontribuojnë në këto dallime. Normat e raportimit mund të ndryshojnë midis zonave urbane dhe rurale për shkak të dallimeve në aksesin në shërbimet mbështetëse, pranisë së zbatuesve të ligjit dhe faktorëve kulturorë. Zonat rurale mund të kenë më pak akses në burime dhe të jenë më të izoluara. Në disa qytete ose rajone, mund të ketë norma kulturore më të forta që i dekurajojnë viktimat të raportojnë dhunën në familje. Rajonet me fushata më të mira ndërgjegjësuese dhe programe arsimore për dhunën në familje mund të kenë norma më të larta raportimi, njëjtë dhe për komunat të cilat ofrojnë shërbime më diskrete dhe të disponueshme për viktimat në formë të shërbimeve mbështetëse. Disa qytete investojnë më shumë në edukimin publik për këtë çështje, duke i bërë banorët më të prirur të raportojnë incidente. Për më tepër faktori ekonomik i fuqizimit të gruas, reagimi ligjor dhe rrjetet mbështetëse në komunitete mund të bëjnë raportimin më të qasshëm.

Besohet që këta faktorë ndërveprojnë dhe si rezultat përbëjnë variacionet e raportimit. Përpjekjet për të rritur normat e raportimit dhe për të luftuar dhunën në familje duhet të marrin parasysh këta faktorë lokal dhe të përshtatin ndërhyrjet në përputhje me rrethanat. Për më tepër, adresimi i dhunës në familje kërkon një qasje të shumëanshme që përfshin reforma ligjore, fushata ndërgjegjësimi, shërbimet mbështetëse dhe angazhimin e komunitetit.

Statusi i kallëzimeve penale për dhunën në familje në Prokurorinë e Kosovës 2016-2022

Nga 20,728 persona me kallëzime penale që janë trajtuar gjatë viteve 2016-2022,19,270 raste janë zgjidhur.  Më së shumti raste të zgjidhura për këtë kategori ka pasur në Prokurorinë e Pejës, me gjithsej 7,164 raste të zgjidhura, pasuar nga Prokuroria e Prishtinës me 5,127 raste të zgjidhura. Megjithatë në aspektin e efikasitetit, Prokuroria e Gjilanit ka qenë me efikasja ku 99% e rasteve të trajtuara janë zgjidhur. Të pazgjidhura në fund të vitit 2022 kanë mbetur gjithsej 1,487 raste apo 7.17% e lëndëve.

Ndërsa nga gjithsej 16,854 kallëzime penale, në fund të periudhës raportuese janë zgjidhur gjithsej 15,253 kallëzime penale. Numri më i madh i kallëzimeve penale të zgjidhura është në Prokurorinë e Pejës me gjithsej 4,779 raste. Ndërsa lëndë të pazgjidhura në fund të vitit 2022 kanë mbetur 1,334 raste. Numri më i madh lëndëve të pazgjidhura është në Prokurorinë e Prishtinës me gjithsej 835 raste.

Përderisa ka progres të konsiderueshëm në vitet e fundit për të adresuar çështjen kritike të raportimeve të dhunës në familje, mbeten dallime të dukshme në normat e raportimit ndërmjet komunave. Kjo pabarazi nxjerr në pah nevojën për intervenime të veçanta dhe kontekstuale por edhe fushata të synuara ndërgjegjësuese në rajonet ku raportimi është më pak i përhapur. Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj në nxitjen e kulturës së raportimit, sigurimin e mbështetjes për të mbijetuarit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në të gjitha nivelet. Vetëm përmes masave të tilla gjithëpërfshirëse Kosova mund t’i afrohet qëllimit të çrrënjosjes së dhunës në familje dhe garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të saj.

Ky shkrim është realizuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “JUST REACT”. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Group for Legal and Political Studies dhe Community Development Fund – CDF.


[1] World Health Organization (2018), Domestic Violence. Retrieved from https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/violence-against-women-prevalence-estimates-2018

[2] Source

[3] Direct quotation, quote as such

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

25.10.2023

"Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e fri