Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pesë raste të dhunimit të raportuara në Policinë e Kosovës në 10 ditët e para të dhjetorit

QIKA 11.12.2025

Në dhjetëditëshin e parë të muajit dhjetor 2025, në Policinë e Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës seksuale në Malishevë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Fushë Kosovë. Të gjithë të dyshuarit janë identifikuar si burra kosovarë, ndërsa viktimat janë gra dhe vajza, përfshirë edhe të mitura.

Sipas raporteve policore, rasti i parë është shënuar më 1 dhjetor në Mitrovicë, ku një person është arrestuar rreth orës 13:00 nën dyshimin se kishte dhunuar një grua kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 2 dhjetor, në Malishevë, Policia ka arrestuar një tjetër të dyshuar mashkull kosovar për dhunim. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Rasti i tretë është raportuar më 3 dhjetor në Gjakovë, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kryer dhunim ndaj një viktime grua. Edhe në këtë rast, prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj të dyshuarit.

Një tjetër rast në Malishevë është raportuar më 5 dhjetor, ku një vajzë e mitur ka deklaruar, në prezencë të punëtorit të qendrës për punë sociale, se disa muaj më parë kishte pasur marrëdhënie seksuale me një person me të cilin kishte qenë në lidhje. Prokurori është njoftuar dhe rasti po hetohet.

Rasti i pestë është evidentuar më 10 dhjetor në Fushë Kosovë, ku një vajzë e mitur ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga një burrë kosovar. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe se hetimet janë në vazhdim.