Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili vendosi të mos nënshkruaj projektligjin që u miratua nga parlamenti i vendit disa javë më parë dhe që ka për qëllim të kufizojë ndjeshëm të drejtat e personave LGBTIQ+.
Muajin e kaluar, parlamenti i Gjeorgjisë u kritikua ashpër pasi miratoi legjislacionin, i cili parashikon ndalime gjithëpërfshirëse për martesat e të njëjtit seks, birësimet nga çiftet homoseksuale dhe kufizon trajtimet që afirmojnë gjininë.
Ligji, i cili pasqyron legjislacionin e miratuar në Rusi, parasheh gjithashtu kriminalizimin si të jashtëligjshme për ngjarjet e Javës së Krenarisë dhe censurimin e përshkrimeve për njerëzit LGBTIQ+ në filma dhe libra.
Të mërkurën, zëdhënësi i presidentes tha për AFP-në se “presidentja Zourabichvili refuzoi të nënshkruajë projektligjin dhe e ktheu në parlament pa vënë veton ndaj tij”. Projektligji pritet të bëhet ligj pasi të nënshkruhet nga kryetari i parlamentit.
Legjislacioni ka nxitur tensione në mbarë vendin, edhe ashtu polarizuar, ku zgjedhjet parlamentare do të mbahen në fund të muajit, shkruan The Guardian.
Aktivistët/et për të drejta të njeriut argumentojnë se ligji për “vlerat familjare” do të margjinalizojë më tej dhe potencialisht do të nxisë dhunën kundër komunitetit LGBTIQ+. Edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, kundërshtoi votimin, të cilin politikanët e opozitës e bojkotuan. Borrell tha në rrjetet sociale se ky projektligj do të rris diskriminimin dhe stigmatizimin.
Një ditë pas miratimit të projektligjit në parlament, aktorja dhe modelja e njohur transgjinore Kesaria Abramidze, 37 vjeç, u gjet e vrarë me thikë në banesën e saj. Aktivistët/et e konsideruan vdekjen e saj si pjesë e rritjes së dhunës kundër njerëzve LGBTIQ+, e përshtatur me qëndrimin e ngurtë të partisë në pushtet për të drejtat e personave LGBTIQ+.
“Ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë midis përdorimit të gjuhës së urrejtjes në politikë dhe krimeve të urrejtjes,” tha Qendra për Drejtësi Sociale, një grup i të drejtave të njeriut me bazë në Tbilisi, në një reagim ndaj vrasjes.
Vitin e kaluar qindra kundërshtarë të të drejtave të njeriut sulmuan një festival LGBTIQ+ në Tbilisi, duke detyruar anulimin e eventit, ndërsa në maj dhjetëra mijëra u bashkuan me anëtarët e partisë në pushtet në një marsh, të organizuar nga kisha ortodokse konservatore, për të promovuar “vlerat tradicionale të familjes”.