Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prindërit protestojnë kundër mosndëshkimit të mësimdhënësit që akuzohet për ngacmim seksual

QIKA 21.11.2023

Dita Botërore e Fëmijëve i gjeti në shtëpi nxënësit e shkollës “Nazmi Zhegrova” të fshatit Stanoc i Ulët në komunën e Vushtrrisë. Afro 300 nxënës të fshatit kanë bojkotuar mësimin, ndërsa prindërit e tyre kanë protestuar të hënën për të shprehur indinjatën për mosndëshkimin e  një mësimdhënësi që akuzohet për ngacmim seksual, raporton Koha.Net.

Prindërit janë ankuar për sjellje joprofesionale të arsimtarit dhe njëri nga ta për Koha.Net, ka ndarë përvojën personale të vajzës së tij: “Ashtu siç më ka treguar vajza, ka qenë pushimi i gjatë dhe ka tentuar ta shtijë në një klasë vetëm. Edhe s’ka arritur për ta zënë dhe vajza ka ikur, e një nënë aty afër në oborr ka qëlluar dhe ka filluar të qajë nga frika se e njëjta mundet t’i ndodhë edhe fëmijës së tyre dhe ajo nëna i ka thirrur policinë, e pastaj më kanë njoftuar”, ka treguar ai.

Drejtori i shkollës ka deklaruar se prindërit janë keqinformuar dhe se e vlerëson mësimdhënësin e akuzuar me performancë të kënaqshme dhe me sjellje profesionale, derisa vetë arsimtari ka mohuar fajin duke thënë se ankesat ndaj tij janë hakmarrëse për shkak se i ka vlerësuar disa nxënës me nota të dobëta.

Sipas Rregullores për organizimin e punës në shkolla, nëse një mësimdhënës shkel dinjitetit e nxënësve, ai duhet të pezullohet nga një deri në gjashtë muaj, deri në marrjen e një vendimi nga organet kompetente. Këtë vendim e merr Komisioni Disiplinor i Komunës. Profesori i denoncuar nuk është suspenduar asnjë ditë. Drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj, ka arsyetuar mossuspendimin e tij, pasi, siç ka thënë ai, organet e rendit e kanë mbyllur rastin në mungesë të provave.