Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Projektligji i Spanjës për pëlqimin seksual “vetëm po do të thotë po” pritet të bëhet ligj

QIKA 25.8.2022

Legjislacioni spanjoll “vetëm po do të thotë po “, pas veprimit kriminal, ku pesë burra dhunuan një grua 18 vjeçare gjatë një festivali në Pamplona, pritet të bëhet legjitim kur të hidhet në votim në kongres. Pas këtij incidenti, u hartua ligji, sipas të cilit pëlqimi duhet të jetë afirmativ dhe nuk duhet supozuar se është dhënë në formë të heshtjes.

Në vitin 2016, kur kishte ndodhur dhunimi në grup i 18 vjeçares, gjykata kishte argumentuar se pamjet e videos – në të cilën shihej gruaja e palëvizshme dhe kishte sytë e mbyllur gjatë sulmit seksual – ishin provë për pëlqim. Gjithashtu, një gjyqtar kishte thënë se burrat duhet të akuzohen vetëm për vjedhjen e celularit të viktimës.

Ata u dënuan me nëntë vjet burg për akuzën më të vogël të abuzimit seksual, por pas një proteste masive publike akuza u ndryshua në përdhunim dhe dënimi u rrit në 15 vjet.

Menjëherë pas këtij rasti, pesë burra të akuzuar për dhunimin e një vajze 14-vjeçare në qytetin katalanas Manresa u dënuan shumë pak për veprën penale të kryer, nën arsyetimin se viktima ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.

Ligji i ri heq dallimet midis abuzimit seksual dhe agresionit seksual (përdhunimit) duke e bërë pëlqimin e qartë si faktor vendimtar. Pasiviteti dhe heshtja nuk mund të interpretohen më si pëlqim.

Ligji thotë: “Pëlqimi mund të konsiderohet pëlqim vetëm kur ai/ajo është shprehur lirshëm nëpërmjet veprimeve, që në përputhje me rrethanat shprehin qartë dëshirat e personit”.