Një vajzë tetë vjeçare, të cilën e përdhunuan në Bangladesh, vdiq nga plagët e marra, duke shkaktuar protesta të ashpra në mbarë vendin.
Vajzën 8 vjeçare e përdhunuan teksa ajo shkoi për vizitë në shtëpinë e motrës së saj më të madhe në qytetin Magura diku midis natës së 5 marsit dhe mëngjesit të nesërm, sipas një rasti të paraqitur nga nëna e saj. Burri 18-vjeçar i motrës së madhe, së bashku me prindërit dhe vëllain e tij, u arrestuan dhe u vendosën në paraburgim.
Mbrëmjen e së enjtes, pasi morën vesh lajmin për vdekjen e fëmijës, një turmë e zemëruar ka marshuar në shtëpinë ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja, duke i vënë flakën. Vajza vdiq rreth orës 13:00 të enjten pasi pësoi tre arreste kardiake, sipas një deklarate nga departamenti i qeverisë për Marrëdhëniet me Publikun (ISPR).
“Edhe pse mjekët arritën ta stabilizonin gjendjen dy herë, zemra nuk arriti të rifillojë pas episodit të tretë”, thuhet në deklaratë.
Ajo kishte kaluar gjashtë ditë në një gjendje kritike në Spitalin Ushtarak të Kombinuar në kryeqytetin Dhaka, pasi u shtrua me 8 mars, raporton Euronews.al.
“Mendova se vajza ime do të mbijetonte”, tha nëna e saj pas vdekjes së vajzës, sipas mediave lokale. “Nëse ajo do t’ia kishte dalë, nuk do ta lija më kurrë të shkonte askund vetëm.”
Trupi i vajzës u dërgua përsëri në Magura me një helikopter të ushtrisë, i cili u ul në stadiumin lokal rreth orës 18:00 ku u mbajtën protesta të ashpra. Aiyub Ali, oficer përgjegjës i stacionit policor Magura Sadar, tha se autoritetet luftuan për ta vënë situatën nën kontroll, sipas gazetës lokale të lajmeve The Daily Star. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin publik në Magura për namaz-e-janaza të vajzës, lutjen islamike të xhenazes, para se ajo të varrosej në orën 19:30.
Shumë protestues kërkuan që qeveria të përshpejtojë drejtësinë për viktimat e përdhunimit dhe të reformojë ligjet lidhur me sigurinë e grave dhe fëmijëve.
Protestuesit kërkuan gjithashtu qartësi më të madhe rreth përkufizimeve ligjore të asaj që përbën përdhunim në Bangladesh, të cilat ata thanë se aktualisht ishin të paqarta.
Gjyqi për rastin e përdhunimit dhe vrasjes pritet të fillojë brenda shtatë ditëve të ardhshme, sipas këshilltarit ligjor Asif Nazrul.
“Grumbullimi i mostrës së ADN-së ka përfunduar, ne shpresojmë të marrim raportin brenda pesë ditëve të ardhshme,” tha zoti Nazrul në një konferencë shtypi në Sekretariat të enjten – duke shtuar se deklaratat ishin marrë tashmë nga 12 në 13 persona.
“Nëse ne mund të fillojmë gjyqin brenda shtatë ditëve, gjyqtarët tanë do të jenë në gjendje të sigurojnë drejtësi me shpejtësinë maksimale,” shtoi ai.
Përdhunimi i të miturve dënohet me vdekje në Bangladesh, sipas një ligji që u miratua në vitin 2020 .
Futja e këtij ligji pasoi një sërë rastesh të profilit të lartë të dhunës seksuale, duke përfshirë sulmin brutal të bandës ndaj një gruaje 37-vjeçare që u filmua dhe u përhap në mediat sociale. Më pak se një javë pas përdhunimit të vajzës së re në Magura, në media u raportua dhe për të paktën tre përdhunime të fëmijëve të së njëjtës moshë në pjesë të ndryshme të Bangladeshit.