Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestat u përhapën në të gjithë SHBA-në pasi Gjykata Supreme hoqi të drejtën kushtetuese për abort

QIKA 28.6.2022

Protestat kundër vendimit të gjykatës supreme amerikane që hoqi të drejtat e abortit vazhduan në të gjithë SHBA-në këtë fundjavë. Mijëra njerëz marshuan për të shprehur zemërimin e tyre me sloganin kryesor “S’është mitra jote, as zgjedhja jote”. Protestat janë shtrirë në Washington DC, New York City, Chicago, Los Angeles, Seattle, Atlanta dhe Austin.

Të paktën 10 shtete e kanë ndaluar abortin që nga momenti kur u hoq si e drejtë kushtetuese. Ndërsa 26 shtete kanë ligje të cilat munden ta heqin tërësisht abortin si të drejtë ose mund të vendosin kufizime ekstreme për abortet, sipas Institutit Guttmacher, organizatë që mbron të drejtën për abort.

Një protestuese shprehi për CNN se “T’i detyrosh njerëzit të lindin është skllavëri”. “Kur u thua njerëzve se nuk kanë më zë në çështjet e tyre personale, kjo është skllavëri. Është shtypje”, shoti ajo.

Protestat janë ndarë në pro dhe kundër vendimit të gjykatës, megjithatë, ato kanë qenë kryesisht paqësore, ndërsa është raportuar për disa arrestime.

Disa nga sloganet tjera të protestave ishin: “Mos më tregoni se çfarë të bëj me trupin tim”, “Pa drejtësi, pa paqe”, “Nëse aborti nuk është i sigurt, ju nuk jeni të sigurt”.