Të premten e javës së kaluar u protestua në Gjilan për një grua e cila është me aftësi të kufizuara dhe ishte bërë subjekt i dhunës sistematike e strukturore. Rasti ishte publikuar në rrjete sociale ku u shfaqën imazhe të saj e cila ishte dhunuar fizikisht e në përshkrim thuhej se edhe seksualisht.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social dhe Përpjekja organizuan protestë para Komunës së Gjilanit për të kundërshtuar dhunën sistematike që përjetojnë gratë me aftësi të kufizuara të cilat “dhunohen, përdhunohen, lindin fëmijë nga përdhunimet apo abortojnë në sy të shtetit dhe shoqërisë”, thuhej në thirrjen për protestë.
Në komunikatën e organizuesve të protestës thuhet ndër të tjera se “Komuna e Gjilanit, si çdo komunë tjetër, ka përgjegjësinë të sigurojë mbështetje dhe mbrojtje për individët me probleme të shëndetit mendor, si dhe për ata që janë viktima të dhunës.
Në rastet kur ndodhë dhuna fizike ose seksuale, është thelbësore që institucionet të reagojnë menjëherë për të ofruar mbështetje dhe për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen. Kjo përfshinë ofrimin e strehimit të sigurt, banesave të përkohshme si dhe shërbimeve të konsulencës dhe terapisë për individët e prekur”.
Kërkesa e protestuesve ndaj Komunës së Gjilanit ishte për të rishikuar politikat rreth “Fshatit të Lumtur” i cili është ndërtuar nga donacione të huaja që këtë fshat ta shndërroj në institucion që adreson nevojat emergjente të personave që kanë probleme të shëndetit mendor. Ky fshat, i cili është krijuar me qëllim altruist, nuk po shfrytëzohet në mënyrë të duhur, duke lënë pas dore një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë një zgjidhje praktikës sociale.
“Prania e kësaj hapësire të pashfrytëzuar është një humbje e madhe në kontekstin e nevojave gjithnjë e në rritje për mbështetje dhe kujdes ndaj individëve që përballen me probleme të shëndetit mendor”, thuhet në komunikatë.