Sot u protestua para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kundër ngacmimeve dhe dhunës seksuale që përjetojnë vajzat në shkolla të Kosovës.
Me sloganet si “Shkolla të sigurta për vajzat”, “Stop ngacmimeve seksuale”, “Mos e normalizoni abuzimin seksual”, “Edukatë seksuale në shkolla”, shumë qytetarë protestuan si kundërshtim ndaj rasteve të sulmeve seksuale si dhe mungesës së politikave të mirëfillta institucionale të edukimit.
Sipas Kolektivit për Veprim dhe Mendim Feminist të cilët janë edhe organizatorë të protesës së sotshme, dhuna ndaj vajzave po ndodhë për shkak të neglizhencës së institucioneve shtetërore për të adresuar atë si dhe për të ofruar mekanizma që shërbejnë për sigurinë e vajzave në hapësira publike.
Ditë më parë në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, u bë publik përmes një video rasti i sulmit seksual ndaj nxënëses në klasë të parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës, pikërisht në institucionin që është përgjegjës për edukimin e fëmijëve.
Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist përmes protestës parashtroi tri kërkesa kryesore: futja e edukatës seksuale në shkolla, ambiente të sigurta për nxënëset/it, si dhe punësimi i punëtorëve social dhe psikologëve në të gjitha shkollat.