Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestohet për sigurinë e vajzave dhe grave

QIKA 14.3.2024

Sot në Prishtinë u protestua për sigurinë e vajzave dhe grave në Kosovë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist organizoi këtë protestë në shenjë revolte pas publikimit të rastit të dhunimit të një vajze 13 vjeçare nga dy burra të moshës madhore.

Teksa denonconin dhunën me bazë gjinore me të cilën vajzat dhe gratë përballen çdo ditë, aktivistet/ët kërkuan që siguria e vajzave dhe grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.

 “Jemi të vetëdijshme që ky rend i dhunshëm patriarkal që këtë javë çoi në përdhunimin e një fëmije, ushqehet nga vetë shteti. Janë një sërë sjelljesh e praktikash institucionale, që vazhdojnë ta prodhojnë gruan si inferiore e të dhunueshme, e burrat si dominues, të dhunshëm e të pandryshueshëm. Ekzistojnë me qindra raste, ku vajzat janë riviktimizuar, neglizhuar e dhunuar prej institucioneve duke përfunduar si raste deri në vrasje. Raste të tjera si diskutimet e fundit për kodin civil e fertilizimin e asistuar, të cilat persona që na qeverisin po prodhojnë urrejtje ndaj grave dhe kontroll në rritje të trupave tanë. Andaj dhe jemi këtu, për ta denoncuar dhe kundërshtuar këtë dhunë të institucionalizuar që po na bëhet të gjitha neve.

Ne sot vijmë edhe një herë pikërisht tek kjo Qeveri, për të kërkuar llogari, për dhunën që haptazi po shtrihet ndaj nesh, shoqeve tona, vajzave dhe grave anembanë Kosovës. Vijmë këtu, për të kërkuar nga ky pushtet që ta trajtojë sigurinë e vajzave dhe grave si urgjencë kombëtare, dhe jo ti paraqes ato si raste të minimizuara,” thuhet në deklaratën e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Lexoni deklaratën e plotë: https://www.facebook.com/kolektivifeminist/posts/pfbid0bNQZoqx8BxtHddwspfenLD9kRuDgZ6aQLFsq6WSnvrYTAGkFns3uqVczVcMPDr9Zl

Foto: Nacionale