Javën e kaluar qindra njerëz protestuan në Georgia për të kërkuar drejtësi për viktimat e të shtënave fatale në zonën e Atlanta si dhe kundër racizmit dhe mizogjinisë anti-aziatike. Tetë persona, gjashtë prej tyre gra, u vranë më 16 Mars të këtij viti.
‘Urrejtja është virus’, ‘Stop urrejtjes aziatike’, ishin disa nga parullat të cilat u përdorën gjatë protestës. Autoritetet policore raportojnë se sulmuesi që kishte vrarë tetë persona kishte deklaruar se veprimi i tij nuk kishte motive raciste. Mirëpo, anëtarët e komunitetit aziatiko-amerikanë thonë se racizmi, mizogjinia dhe objektivizimi i grave aziatike kanë ndikuar në të shtënat vdekjeprurëse, raporton Aljazeera.
Sipas raportit të Stop AAPI janë dokumentuar 3975 incidente dhe sulme ndaj aziatiko-amerikanëve, ku shumica prej tyre përfshijnë ngacmimet verbale, ndërsa 11% e incidenteve kanë të bëjnë me sulmet fizike.
Tashmë janë bërë të ditur edhe emrat e tetë viktimave. Ndër viktimat e para të cilët u identifikuan ishin Delaina Ashley Yaun (33), Paul Andre Michels (54), Daoyou Feng (44), dhe Xiaojie Tan (49). Ndërsa, Zyra e Ekzaminimit Mjekësor në Fulton identifikoi edhe viktimat e tjera, ndër ta Soon C Park (74), Hyun J Grant (51), Suncha Kim (69) dhe Yong A Yue (63).