Psikologët po paralajmërojnë se paragjykimi gjinor po lë shumë gra me çrregullim të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) pa u diagnostikuar. Ekziston një stereotip mbizotërues që ADHD prek vetëm “djemtë e prapë”. Prandaj vlerësohet se dhjetëra mijëra persona në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të vetëdijshëm se e kanë këtë çrregullim dhe nuk marrin ndihmën që u nevojitet.
“Unë u thosha mjekëve dhe terapistëve gjatë gjithë kohës, ‘Duhet të ndaloni këtë zhurmë të vazhdueshme në kokën time. Nuk mund të mendoj. Nuk mund të fle. Nuk mund të kem paqe’, por kjo është hedhur poshtë gjithmonë duke u konsideruar si ankth apo thjesht problem i grave”, thotë Hester.
E diagnostikuar me depresion në moshën 16-vjeçare, ajo kaloi pjesën më të madhe të të 20-ave duke luftuar për t’u referuar te një psikiatër. Ajo vazhdimisht ndjente se nuk po arrinte potencialin e saj të vërtetë.
“Kam studiuar histori në universitet dhe mund të shkruaja një ese mbi një temë akademike – por kur punoja si asistente shitjesh, nuk mund të plotësoja një formular porosie. Humbja vëmendjen dhe bëja gabime”, thotë Hester.
Hester më në fund u diagnostikua me ADHD në vitin 2015, kur ishte 34 vjeçare. Ky diagnostikim ndodhi vetëm sepse burri i saj kishte zbuluar se ai kishte këtë çrregullim një vit më parë, thotë ajo. Diagnoza e tij zgjati 12 muaj. “Në asnjë moment askush nuk i tha Chris-it se kjo duket si ankth ose thjesht merr disa tableta. Ai u trajtua seriozisht”, thotë Hester. “Thënë troç, u desh kaq shumë kohë që të diagnostikohesha sepse jam grua”, përshkruan ajo.
Një diagnozë e vonë mund të ketë një ndikim negativ në marrëdhënie dhe karrierë, poashtu mund të rrisë rrezikun e problemeve të shëndetit mendor si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e të ngrënit. Një zyrtar i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social në Angli thotë se udhëzimet janë përditësuar për ta bërë më të lehtë për mjekët të diagnostikojnë ADHD tek gratë dhe vajzat.