Një e treta e grave në Kroaci janë të detyruara të kursejnë për peceta menstruale. Një pjesë e tyre për shkak të çmimeve të larta blejnë peceta të kualitetit më të ulët, ndërkohë që 10% e kroateve nuk kanë mundësi të blejnë sasi të mjaftueshme të pecetave, në mënyrë që t’i ndërrojnë shpesh. Poashtu një pjesë e grave nuk munden të përballojnë fare blerjen e tyre.
Këto të dhëna janë rezultat i hulumtimit mbi varfërinë menstruale, i realizuar përmes një pyetësori online nga Shoqata për të Drejtat e Njeriut dhe Pjesëmarrje të Qytetarëve- PaRiter në fund të vitit 2020.
Ky është hulumtimi i parë i llojit të tillë i bërë në Kroaci (dhe ndër të rrallët në Evropë), dhe rëndësia e tij tregohet nga fakti se pyetësori u plotësua nga rreth 6084 persona që kishin menstruacione vitin e fundit, pavarësisht nga orientimi seksual.
Më konkretisht, më shumë se një e treta e të anketuarve (36.4%) kanë deklaruar se detyrohen të blejnë peceta me kualitet më të ulët për shkak të çmimit.
Më shumë se 10% kanë deklaruar se nuk munden të sigurojnë sasi të mjaftueshme të pecetave menstruale, në mënyrë që t’i ndërrojnë sipas nevojës (11.9%), ndërsa 11.9% e pjesës tjetër nuk kanë mundësi fare të blejnë peceta.
Prej tyre 10% nuk kanë mundësi të blejnë medikamente për zvogëlimin e dhimbjes gjatë menstruacioneve, kurse 8.8% e tyre kanë deklaruar se detyrohen që deri në 6-8 orë të mbajnë pecetën apo tamponin për shkak të mungesës së tyre. Një numër i vogël i tyre kanë deklaruar se janë detyruar shpesh të huazojnë produktet menstruale nga shoqet dhe të afërmet e tyre (4.7%).
Përveç disponueshmërisë së mjeteve menstruale dhe qetësuesve të dhimbjeve, studimi shqyrtoi higjienën menstruale, kushtet në shtëpi, në punë, në shkollat e mesme dhe fakultetet si dhe stigmën dhe turpin që lidhet me menstruacionet.
Rezultatet e këtij hulumtimi u plotësuan me rekomandimet nga njohës së fushës së shëndetësisë me qëllim që problemet e shfaqura të adresohen në mënyrë të duhur në aspektin e arsimimit, sigurimit të kushteve për mirëmbajtjen e higjienës menstruale, sigurimit të produkteve menstruale, ndryshimit të politikave tatimore dhe ekologjike.