Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Publikohet raporti “Mbrojtja nga diskriminimi në Kosovë”

QIKA 9.6.2021

Dje Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, publikuan raportin “Mbrojtja nga Diskriminimi në Kosovë”. Ky raport paraqet përmbledhjen e monitorimit të zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, shkallën e zbatimit të përgjegjësive që përfshin ky ligj nga institucionet përkatëse si dhe rekomandimet për avancimin e zbatimit të këtij ligji.

Sipas kornizës ligjore të Kosovës mbrojtja e të drejtave të njeriut është e drejtë themelore, me ç’rast barazia dhe mos-diskriminimi janë pikat kyçe të Kushtetutës. Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligji për Barazi Gjinore shpjegon hollësisht këto të drejta.

Hulumtimi u përqendrua në institucione përkatëse dhe komuna të ndryshme për të kuptuar më thellë politikat dhe qasjen ndaj Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Në hulumtim u anketuan personat gjegjës nga qeveria qendrore dhe ajo lokale, policia, gjykatat, si dhe organizatat jo-qeveritare.

Nga të dhënat rezulton që të gjitha ministritë janë të informuara mirë rreth Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe se i përmbahen atij në detyrat e përditshme zyrtare. Ndërsa nga nëntë komuna të përfshira në raport, të anketuarit në përgjithësi shprehën se ishin pak apo deri diku të informuar rreth këtij ligji. Komuna e Prishtinës ka pohuar se është trajtuar çdo ankesë që lidhet me diskriminimin, për dallim nga ajo e Skenderaj që nuk ka trajtuar asnjë ankesë.

Të anketuarit në policitë e komunave përkatëse poashtu pohuan se kanë njohuri themelore rreth ligjit të cilat i kanë përfituar në bazë të trajnimeve të organizuara, ndërsa Policia e Mitrovicës së Jugut pohon se nga vetë ata kërkohet që të zbatohet Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi njëlloj si në institucionet tjera, por megjithatë nuk ka pasur organizim të trajnimeve dhe ndarje të buxhetit për zbatimin e legjislacionit. Trajnimet nuk kanë munguar në Gjykatën Themelore të Prizrenit, e organizuar nga Akademia e Drejtësisë e fokusuar në ligjin specifik.

Të gjitha organizatat jo-qeveritare që ishin të anketuara në këtë hulumtim pohojnë se njohin mirë këtë ligj dhe se e zbatojnë atë maksimalisht pasi që lidhet me vet natyrën e funksionimit të këtyre organizatave.

Disa nga rekomandimet e shumta që ofron ky raport janë: bashkëpunimi i Avokatit të Popullit me institucione dhe OJQ, vazhdimi i punës me shoqërinë civile, operacionalizimi i kornizës për monitorimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe monitorimit të LMD-së, ofrimi i trajnimeve për Njësitet për të Drejtat e Njeriut dhe zyrtarët e saj etj.

Ky hulumtim u zhvillua në kuadër të projektit “Avancimi i barazisë dhe mos-diskriminimit” të financuar nga Ambasada Holandeze në Kosovë dhe të zbatuar nga QKSGJ dhe CSGD në kuadër të programit “MATRA”.

Raportin e plotë e gjeni në linkun e poshtëm:

http://kgscenter.net/site/assets/files/1782/mbrojtja_nga_diskriminimi_ne_kosove.pdf