Japonia njihet për proceset e saj të ashpra dhe stresuese gjatë rekrutimit të punëtorëve. Kjo përfshinë rregulla strikte për mënyrën se si duhet të vishen gratë dhe burrat. Megjithatë, duket që kjo praktikë mund të ndryshojë si pasojë e aktivistëve që po e kundërshtojnë atë.
“Shukatsu” i referohet procesit njëvjeçar gjatë të cilit të diplomuarit kërkojnë punë. Ky proces fillon çdo prill dhe ata të cilët humbasin një ofertë pune rrezikojnë që të përsërisin procesin vitin e ardhshëm. Ky proces përfshinë udhëzime të hollësishme për rrobat që duhet të vishen, stilin e flokëve, si dhe mënyrën se si duhet të ulen gjatë intervistimit.
Yumi Mizuno ishte një nga mijëra punëkërkuesit në vitin 2011 që morën pjesë në ‘Shukatsu’. Mizuno identifikohet si jo-binare, term ky i cili u referohet njerëzve të cilët nuk e konsiderojnë veten ekskluzivisht si burrë apo grua. Ajo dhe shumë të tjerë kanë filluar të sfidojnë këto rregulla strikte të bazuara në identitet gjinor. Mizuno tregon për përvojën e saj në një intervistë pune e veshur me këpucë të sheshta, xhaketë, pantallona dhe krevatë. Ajo kishte frikë se mos humbiste mundësinë për punë, kështu që ndërroi rrobat, këpucët, dhe vendosi makijazh. “Edhe pasi ndërrova rrobat, përsëri kisha frikë sepse kisha një çantë që ishte për djem”, thotë ajo. Pas kësaj përvoje Mizuno filloj një peticion si thirrje për përfshirjen e opsioneve më të larmishme të veshjes nga kompanitë e ndryshme. Deri tash peticioni ka mbledhur 13.000 nënshkrime.
Në 2019 aktorja Yumi Ishikawa filloi lëvizjen #KuToo, pasi u detyrua të vishte taka të larta çdo ditë ndërsa punonte në një shtëpi funeralesh. Lëvizja e Ishikawa bazohet në dy fjalët japoneze ‘kutsu’ që do të thotë këpucë dhe ‘kutsuu’ që do të thotë dhimbje. “Shpresoj që kjo fushatë të ndryshojë normën shoqërore në mënyrë që mos të konsiderohet sjellje e keqe kur gratë mbathin këpucë të sheshta njëlloj si burrat”, tha Ishikawa.
Megjithatë, Japonia po bën progres në këtë aspekt. Një studim i fundit nga agjencia e lajmeve Kyodo tregon se mbi 600 shkolla në të gjithë Japoninë kanë zbutur rregullat e tyre sa i përket uniformave të ndara në bazë të identitetit gjinor. Gjithashtu, në 2018, Keidanren – federatë që përfaqëson shumë prej kompanive të mëdha në Japoni, njoftoi se deri në Mars 2021 sistemi ‘Shukatsu’ nuk do të jetë aq i rreptë. Sidoqoftë, nuk ka pasur lëvizje zyrtare që inkurajon opsionet e ndryshme të veshjeve.