Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës do të hyjnë në grevë

QIKA 5.9.2024

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat përmes një komunikate ka njoftuar se gratë që mirëmbajnë hapësirat e Kuvendit të Kosovës do të hyjnë në grevë me datë 16 shtator 2024, për të kërkuar rritje të pagave.

Aktualisht, punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës paguhen vetëm 275 euro në muaj për punën e tyre, kurse për tetë vitet e fundit paga u është rritur vetëm dy herë nga 20 euro. Atyre nuk u paguhen shujtat e ushqimit e as transporti e shpeshherë iu bie të punojnë me orar të zgjatur, për çka nuk kompensohen shtesë. Ndër të tjera, disa prej tyre shpesh kanë hasur parregullsi në pagesat e kontributeve të tyre.

Në njoftimin e kryesindikalistit, Jusuf Azemi, thuhet “Sot u mbajt takim me punëtorët teknik te Kuvendit të Kosovës , ku u mor vendim që me datë 16 .09.2024 të fillohet me grevë pasi që pagat e tyre janë shumë të ulëta, ato kërkojnë 550 euro pagë përndryshe deklarojnë se nuk do të punojnë”.

Kujtojmë se gratë që mirëmbajnë hapësirat e Kuvendit, të punësuara nga një kompani private pastrimi përmes partneritetit publiko-privat, disa javë më parë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për pagat e ulëta.