Përgjatë takimit të Kryeministres së Zelandës së Re dhe asaj të Finlandës, u shtrua një pyetje nga një gazetar që ngjalli reagime të shumta. Pyetja kishte prapavijë seksiste duke e minimizuar rolin e grave në politikë nën arsyetimin se takimi i dy kryeministreve ndodhi vetëm sepse ato kanë moshë të ngjashme dhe disa karakteristika tjera që i bashkojnë.
Pyetja vijoi kështu: “Shumë njerëz do të pyesin veten, a po takoheni ju të dyja vetëm pse jeni të ngjashme në moshë dhe keni shumë gjëra të përbashkëta,” e pyeti Ardern një gazetar nga Zelanda e Re.
Ardern u përgjigj duke thënë se “nëse dikush ka pyetur ndonjëherë Barack Obaman dhe John Key nëse u takuan sepse ishin të moshës së njëjtë”. Marin, e cila është 37 vjeç, e trajtoi pyetjen thjesht duke thënë: “Ne po takohemi sepse jemi të dyja kryeministre”.
Pyetja e gazetarit u denoncua si seksiste dhe u kritikua për diskutimin e moshave. Pyetja nxiti diskutime në lidhje me gratë në politikë dhe se si dy kryeministret gra trajtohen ndryshe në krahasim me homologët e tyre burra.
“Nëse do të ishin dy kryeministra të rinj burra afërsisht të së njëjtës moshë dhe të ngjashëm në pikëpamje, nuk mendoj se dikush do të pyeste, ‘si është e mundur që ju të dy po takoheni?’” tha Jarmo Sareva, Konsulli i Përgjithshëm i Finlandës në New York City.
Ndërsa, Dr. Suze Wilson, një pedagoge që udhëheq në Universitetin Massey në Zelandën e Re, e quajti pyetjen “të turpshme” për njerëzit në vend. Dr. Wilson vazhdoi të theksonte se si kjo pasqyron “besimet mizogjene se si gratë duhet të sillen dhe çfarë nuk duhet të lejohen të bëjnë me jetën e tyre”.