Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qeveria e Talibanëve ndalon librat e shkruar nga gratë në sistemin universitar afgan

QIKA 6.10.2025

Qeveria e Talibanëve përmes një kufizimi të ri ka hequr nga sistemi universitar në Afganistan të gjithë librat e shkruara nga autoret gra, si dhe ka përjashtuar lëndët e mësimit për të drejta të njeriut dhe për ngacmimet seksuale.

Rreth 140 libra të shkruar nga autoret gra, përfshirë tituj si “Siguria në Laboratorin Kimik”, ishin mes 680 librave po konsiderohen problematikë dhe kundër Sheriatit e Talibanëve.

Po ashtu, universiteteve iu komunikua se nuk u lejohej më të ligjëronin 18 lëndë, përmes një zyrtari taliban, i cili deklaroi se këto lëndë ishin në kundërshtim me parimet e Sheriatit dhe politikat e sistemit. Sipas BBC, ndër lëndët e ndaluara për mësim janë edhe lëndët: Gjinia dhe Zhvillimin, Roli i Gruas në Komunikim dhe Sociologji e Grave.

Një anëtar i komisionit që shqyrton librat konfirmoi ndalimin e librave të shkruar nga autoret gra, duke i thënë BBC Afghan se “të gjithë librat e autorëve gra nuk lejohen të mësohen”.

Zakia Adeli, ish-zëvendësministre e drejtësisë para kthimit të Talibanëve dhe një nga autoret  librat e së cilës janë përfshirë në listën e ndaluar, nuk u habit nga ky hap. “Duke marrë parasysh çfarë kanë bërë Talibanët gjatë katër viteve të fundit, nuk ishte e pa pritur që ata do të ndërhynin edhe në kurrikulë.  Duke pasur parasysh mentalitetin dhe politikat mizogjene të tyre, është e natyrshme që kur grave nuk u lejohet të studiojnë, edhe mendimet, idetë dhe shkrimet e tyre të shtypen”, tha ajo.

Ky dekret është vetëm njëri nga kufizimet e shumta të vendosura që prej rikthimit të talibanëve në pushtet. Vetëm këtë javë, interneti me fibra optike u ndalua në të paktën 10 provinca me urdhër të udhëheqësit suprem, me arsyetimin se “duhej parandaluar imoraliteti”. Për shumë gra, të cilat e kishin internetin mjet të vetëm për arsim, punë dhe komunikim, ky vendim thellon edhe më tej izolimin e përjashtimin nga hapësirat publike e institucionale.