Drejtoria e përgjithshme e shërbimeve për familjen dhe komunitetin në Turqi, që funksionon në kuadër të ministrisë së familjes dhe shërbimeve sociale, ka dërguar një letër drejtorive të përgjithshme të ministrisë dhe drejtorive provinciale në 81 qytete me titull “Përdorimi i gjinisë dhe disa koncepteve”, duke shënjestruar komunitetin LGBTI+.
Në këtë letër, kjo drejtori argumenton se njësitë e ministrisë, në bashkëpunim me institucione kombëtare e ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë, duhet të mbajnë një qëndrim të unifikuar kundër koncepteve si “gjini”, “identitet gjinor”, “komuniteti LGBTI+”, “SOGIESC (orientimet seksuale, identitetet gjinore, shprehjet gjinore dhe karakteristikat seksuale)” dhe “arsimi gjithëpërfshirës seksual”.
Letra, e nënshkruar nga Tuncay Cevheroğlu, drejtor i përgjithshëm i shërbimeve për familjen dhe komunitetin, pretendon se këto koncepte, të përdorura në takime dhe dokumente ndërkombëtare, e minojnë institucionin e martesës dhe familjes, si dhe dëmtojnë gratë, fëmijët dhe strukturën e shoqërisë, raporton KAOSGL.
Krahas kësaj, letra i referohet familjes si “njësia natyrore dhe themelore e shoqërisë” dhe rikujton se viti 2025 është shpallur “Viti i Familjes”.
Më këtë letër drejtoria shënjestron hapur individët LGBTI+ dhe pretendon se familja është nën kërcënim:
“Në këtë kontekst, një çështje madhore që kërcënon institucionin e martesës dhe familjes, gratë, fëmijët dhe shoqërinë në tërësi është vënia në pikëpyetje e gjinisë si kategori. Në vitet e fundit, termi gjini apo identitet gjinor, gjithnjë e më shumë ka zëvendësuar fjalën seks, e cila i referohet grave dhe burrave. Vërehet se ky koncept po përdoret në nivel ndërkombëtar në mënyra që mund të ndikojnë negativisht në jetën shoqërore duke i dhënë kuptime përtej seksit biologjik. Këto koncepte po përdoren nga ata që pretendojnë se gjinia është një “ndërtim shoqëror”, se mund të përcaktohet me vetëdeklarim dhe se ekzistojnë identitete gjinore të ndryshueshme përtej ndarjes binare, duke zhvlerësuar ose injoruar karakteristikat biologjike dhe nevojat specifike të dy gjinive”, thuhet në letër.