Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

QIKA ka dorëzuar ankesë zyrtare në KPM ndaj RTV Dukagjinit dhe Klan Kosovës

QIKA 15.9.2025

QIKA ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) ndaj RTV Dukagjinit dhe Klan Kosovës, për shkak të paraqitjes së gazetarit Valon Syla në emisionet e tyre, pavarësisht se është person i denoncuar për dhunë në familje dhe institucionet e drejtësisë ende nuk i kanë dhënë epilog përfundimtar rastit.

Më 10 shtator, Valon Syla ishte shfaqur në emisionin Reload në RTV Dukagjini, ku ka komentuar publikisht rreth denoncimit dhe rastit të tij për dhunë në familje, duke e trajtuar çështjen me humor e të qeshura dhe duke denigruar viktimat si dhe organizatat për të drejtat e grave.

Rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje duhet të trajtohen nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, e jo nga mediat si spektakël mediatik.

Për më tepër, Klan Kosova ka vazhduar në mënyrë të përsëritur t’u japë hapësirë personave të akuzuar për dhunë ndaj grave, pas rasteve të Atilla Kardesh dhe Feim Blakqorit, tash edhe Valon Sylës, duke e ftuar në dy emisione më 11 dhe 13 shtator, ku atij iu dha hapësirë të shfajsohet dhe të komentojë rastin.

Në përputhje me Kodin e Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës, QIKA ka gjetur se emisionet në fjalë përbën shkelje të Nenit 3, Nenit 4 dhe Nenit 5.

Mediat kanë përgjegjësi të qartë të pozicionohen kundër dhunës dhe dhënia e hapësirës për Sylën që të shfajsohet para publikut përbën abuzim me lirinë e medias dhe cenim të drejtpërdrejtë të etikës profesionale mediale.