Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qindra raste të femicidit janë regjistruar në Afganistan që nga ardhja në pushtet e talibanëve

QIKA 9.10.2024

Sipas analizave të fundit, në fillimvitin e tretë të regjimit taliban në Afganistan janë regjistruar 332 raste të raportuara të femicidit dhe në shumicën e rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore janë të implikuar zyrtarët e regjimit.

Sipas hulumtuesve të projektit Centre of Information Resilience’s Afghan Witness rastet e raportuara të dhunës me bazë gjinore janë vetëm “maja e ajsbergut” krahasuar me shkallën e vërtetë të dhunës me bazë gjinore që po përjetojnë gratë në Afganistan.

Analiza zbuloi se rreth 840 gra dhe vajza kishin raportuar se kanë qenë subjekt i dhunës me bazë gjinore që nga 1 janari 2022 kur CIRAW filloi të mbledhë të dhëna. Më shumë se gjysma e rasteve të raportuara i mbanin përgjegjës zyrtarët talibanë, përfshirë rreth 115 raste të dhunës seksuale, duke përfshirë martesën e detyruar, skllavërinë seksuale, sulmin dhe përdhunimin.

73 incidente të tjera kishin të bënin me dhunën dhe torturën joseksuale, ndërsa 113 përfshinin raportime për arrestime të grave, shumica për shpërfillje të politikave represive të regjimit, të cilat ndër tjerash përfshijnë edhe ndalimin e tyre për të udhëtuar në distanca të caktuara pa një kujdestar burrë.

“Ajo që kemi mbledhur është vetëm maja e ajsbergut. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për gratë afgane të flasin dhe për ne të dokumentojmë dhunën me bazë gjinore dhe ndikimin e sundimit taliban mbi gratë dhe vajzat”, tha David Osborn, drejtor i projektit Afghan Witness.

Që nga ardhja në pushtet, talibanët kanë përjashtuar nga çdo aspekt i jetës publike mbi 14 milionë gra dhe vajza, i kanë ndaluar nga qasja në arsimim, u kanë ndaluar pothuajse çdo formë të punësimit, u kanë imponuar kod të rreptë veshjeje dhe u kanë ndaluar frekuentimin e palestrave apo salloneve të bukurisë, raporton The Guardian.

Nga bota perëndimore regjimi taliban shpesh është akuzuar për aparteid gjinor. Një studim i OKB-së dhjetorin e kaluar dëshmoi se 76% e grave dhe vajzave afgane e klasifikuan shëndetin e tyre mendor si “të keq” ose “shumë të keq”, duke raportuar pagjumësi, depresion, ankth, humbje të oreksit dhe dhimbje koke si rezultat i traumave të shkaktuara.

Me gjithë kufizimin dhe shtypjen shumë gra kanë vazhduar të rezistojnë në forma të ndryshme përfshirë edhe një sërë protestash në rrugët e Kabulit dhe qyteteve tjera të mëdha, megjithatë sipas Afghan Witness vitet e fundit ka rënë ndjeshëm numri i protestave publike. Tani 94% e demonstratave bëhen online, zakonisht me vendndodhje dhe identitete të fshehura.

Ndërkohë talibanët kanë njoftuar se do të rikthejnë e fshikullimit publik dhe gurëzimit të grave për tradhti bashkëshortore.