Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar hulumtimin “Shqetësimet lidhur me Sigurinë e Grave në Kosovë”, i cili analizon shqetësimet kryesore me të cilat përballen gratë dhe vajzat, duke vlerësuar aftësitë e mekanizmave të sigurisë si në nivelin lokal edhe atë qendror, për t’iu përgjigjur çështjes së sigurisë së grave.
Hulumtimi vë theksin te dhuna me bazë gjinore si një nga kërcënimet kryesore ndaj grave i cili dëshmohet nga numri në rritje dhe vrasjeve të grave në vitet e fundit.
Megjithë numrin në rritje të rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore, sipas hulumtimit ende shumë raste mbesin të pa raportuara për shkak të faktorëve socio-ekonomik dhe mungesën e besimit të grave në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, e cila kryesisht vie për shkak të butësisë së sistemit gjyqësor ndaj kryerësve, stërzgjatjes të trajtimit të rasteve të dhunës në familje si dhe mungesës së ndjeshmërisë e ekspertizës.
Hulumtimi thekson se shumë gra tërheqin ankesat e tyre për dhunë për shkak të ndërhyrjeve të palëve të treta, shpesh nën presionin e familjes dhe se zyrtarët e institucioneve dhe familjarët kanë tendenca për të fajësuar gratë për raportimin e abuzimit.
Sa i përket pavarësisë dhe sigurisë ekonomike theksohet edhe njëherë mungesa e trashëgimisë së pronës, mungesa e mbështetjes së qëndrueshme institucionale për viktimat dhe financimi i pamjaftueshëm e i paqëndrueshëm për strehimoret.
Hulumtimin e plotë e gjeni në: https://qkss.org/images/uploads/files/Shqet%C3%ABsimet_lidhur_me_sigurin%C3%AB_e_grave_n%C3%AB_Kosov%C3%AB.pdf