Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Reagime dhe hetim federal pas vrasjes së një gruaje nga një agjent i ICE në Minneapolis

QIKA 9.1.2026

Autoritetet federale dhe lokale në Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetime, përderisa janë shtuar reagimet publike, pas vrasjes së një gruaje nga një agjent i Agjencisë Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) gjatë një proteste në Minneapolis.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, kur një agjent federal qëlloi për vdekje një grua që ndodhej në makinën e saj gjatë një proteste kundër një operacioni të ICE në qytet. Viktima është identifikuar si Renee Nicole Macklin Good, shtetase amerikane 37-vjeçare.

Emily Heller, dëshmitare okulare e ngjarjes, i tha mediave lokale se Good u qëllua disa herë në kokë. Sipas saj, një automjet po bllokonte trafikun si pjesë e një proteste kundër operacionit të ICE-s, ndërsa një agjent i kishte bërtitur shoferes që të largohej. “Ajo po përpiqej të kthehej prapa. Agjenti i ICE-s ishte përpara makinës, nxori armën dhe e qëlloi disa herë,” deklaroi Heller për radion MPR News.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) pretendon se vrasja ishte vetëmbrojtje dhe se Good kishte tentuar të shtypte me makinë oficerët federalë. Narrativë kjo e cila po kundërshtohet nga qytetarë, autoritete lokale e aktivistë të shumtë të cilët kanë parë videon nga ngjarja nëpër platformat sociale.

Kryetari i komunës së Minneapolisit, Jacob Frey, reagoi ashpër, duke thënë se ICE po e përkeqësonte situatën dhe se pamjet nuk mbështesin pretendimet për vetëmbrojtje. “Duke e parë vetë videon, dua ta them qartë: kjo nuk është vetëmbrojtje. Kjo është marrëzi,” deklaroi Frey, teksa i bëri thirrje ICE që të largohet nga qyteti.

Shefi i policisë së Minneapolisit njoftoi se FBI, në bashkëpunim me Byronë e Hetimit Penal të Minesotës, do të kryejë hetimin. Ndërkohë, protesta shpërthyen pranë vendngjarjes, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej djegës për të shpërndarë turmat.

Operacioni në Minneapolis dhe protestat kundër tij janë vazhdimësi e ashpërsimit të politikave të migracionit nga administrata Trump dhe e veprimeve gjithnjë e më të dhunshme të Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) ndaj migrantëve në mbarë Shtetet e Bashkuara.