Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Reagime të shumta pas shfuqizimit të së drejtës për abort në SHBA

QIKA 27.6.2022

U desh pothuajse gjysmë shekulli për të shfuqizuar “Roe v Wade”, vendimin e vitit 1973 nga Gjykata Supreme e SHBA-së që e përcaktoi abortin si një të drejtë kushtetuese. Ky vendim u shpall të premten, më 24 qershor, nga gjykata e dominuar nga konservatorët. Pesë gjyqtarë votuan “për” dhe katër “kundër”.

Gjykata tha se aborti nuk është i ndaluar, por tani shtetet vetë marrin vendimin se a do të lejojnë apo kufizojnë abortin. Ky opinion është vendimi më i rëndësishëm i Gjykatës Supreme në dekada dhe do të transformojë peizazhin e shëndetit riprodhues të grave në Amerikë.

Tash e tutje, të drejtat e abortit do të përcaktohen nga shtetet. Të paktën 10 shtete e kanë ndaluar në mënyrë efektive abortin që nga vendimi i së premtes dhe në total 26 shtete kanë ligje që mund të nxjerrin jashtë ligjit ose të vendosin kufizime ekstreme për abortet, sipas Institutit Guttmacher. Në anën tjetër, disa shtete kanë premtuar të mbrojnë të drejtën për një abort. Ligjvënësit në Kaliforni sot pritet të miratojnë një amendament të ri kushtetues që mbron të drejtat riprodhuese.

Planned Parenthood, organizatë që mbron të drejtat riprodhuese të grave, ngriti një padi duke pretenduar se ligji i sapo miratuar shkel liritë e shumta civile të garantuara në kushtetutën e shtetit, të tilla si e drejta për të përcaktuar përbërjen e familjes dhe mbrojtjen e barabartë. Të paktën 20 persona janë marrë në paraburgim gjatë protestave kundër vendimit në qytetin e Nju Jorkut.

Opinioni përfaqëson kulmin e një përpjekjeje prej dekadash nga ana e kritikëve të abortit që kërkojnë t’u kthejnë më shumë pushtet shteteve. Ajo u bë e mundur nga një shumicë solide konservatore prej gjashtë anëtarësh – duke përfshirë tre nga të nominuarit e Donald Trump.

Një studim i bërë para vendimit vlerësoi se të paktën 100,000 gra nuk do të ishin në gjendje të kryenin një abort të sigurt brenda vitit të parë të kufizimit. “Shëndeti dhe jeta e grave në këtë komb janë tani në rrezik”, tha presidenti Joe Biden. “Është një ditë e zymtë për gjykatën dhe për vendin”, shtoi ai, duke bërë poashtu thirrje që Kongresi të kodifikojë të drejtën për abort.