Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Referendumi i Irlandës nuk kalon meqë votuesit refuzojnë ndryshimet në përkufizimin e familjes dhe kujdesit

QIKA 18.3.2024

Votuesit në Republikën e Irlandës, më 8 mars kanë votuar me shumicë dërrmuese kundër ndryshimeve kushtetuese të propozuara. Rreth 73.9% e votuesve irlandezë kane votuar kundër largimit të formulimit seksist rreth rolit të gruas në shtëpi, ndërsa 67.7% kanë votuar kundër zgjerimit të konceptimit ligjor të familjes, për të përfshirë edhe familjet që nuk bazohen në martesë.

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, në emër të qeverisë pranoi përgjegjësinë duke thënë: “Ishte përgjegjësia jonë të bindnim shumicën e njerëzve që të votonin pro dhe qartë dështuam ta bënim këtë”.

Në referendumin e së premtes u prezantuan dy fletë votimi, një e bardhë dhe një e gjelbër, dhe qytetarëve iu kërkua të votonin Po (Tá) ose Jo (Níl), raporton BBC News.

Amendamentit 39 të Kushtetutës Irlandeze, i njohur si Amendamenti i Familjes, ofron mbrojtje ligjore për njësinë familjare, por e lidh konceptin e familjes me institucionin e martesës. Në letrën e bardhë propozohej ndryshimi i këtij amendamenti, ashtu që të zgjerohej përkufizimi kushtetues për familjen për të përfshirë edhe marrëdhëniet e qëndrueshme të tjera si çiftet e pamartuara dhe familjet me një prind.

Amendamenti 40, i njohur si Amendamenti i Kujdesit, thotë se nënat nuk duhet të dalin në vendin e punës duke lënë pas dore detyrat e tyre në shtëpi dhe thekson se jeta brenda shtëpisë e grave është një burim mbështetjeje për shtetin.

Të dyja ndryshimet u refuzuan me shumicë dërrmuese dhe rezultati u pranua edhe nga avokuesit e këtyre ndryshimeve.