Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rekomandohet ofrimi i kontrollit të menopauzës për të gjitha gratë në moshën 45 vjeçare

QIKA 12.10.2022

“Gratë duhet të ftohen për kontrolle të menopauzës kur të mbushin 45 vjeç”, shkruhet në një raport drejtuar deputetëve në Mbretërinë e Bashkuar, i cili kritikon mbështetjen aktuale si krejtësisht të pamjaftueshme.

Grupi Parlamentar që formuloi raportin thotë se ka dëgjuar me kujdes përvojat e grave, duke përfshirë vështirësitë në marrjen e një diagnoze dhe qasjen në terapinë e zëvendësimit të hormoneve (TZH). Shumë prej tyre kishin pritur për periudha të gjata kohore ose iu ofruan barna kundër depresionit, përkundër udhëzimeve.

Raporti në fjalë mbështetet në një hetim njëvjeçar. Ai thotë se nevojitet veprim konkret për të përmirësuar situatën për personat që kalojnë në menopauzë, por poashtu edhe për familjet, miqtë dhe kolegët e prekur që ndikohen në proces.

Sugjerimi mbështetet në idenë se një kontroll shëndetësor që u ofrohet të gjitha grave në mesin e viteve të 40-ta, koha kur ato i afrohen perimenopauzës, pra kur hormonet bien dhe simptomat e menopauzës të tilla si ndezjet e nxehta dhe djersitjet gjatë natës mund të fillojnë, do i ndihmojë atyre në sigurimin e mbështetjes dhe kujdesit të nevojshëm.

“Një tabu rreth menopauzës ende mbizotëronte në të gjitha aspektet e shoqërisë – në vendet e punës, brenda familjeve dhe midis miqve, në arsim dhe në profesionin mjekësor”, tha deputetja Carolyn Harris, e cila kryeson grupin.

Raporti paralajmëron gjithashtu se po shfaqet një ndarje socio-ekonomike midis grave që marrin trajtimin e duhur dhe atyre që nuk kanë mjete financiare për të. Ai flet për thyerjen e barrierave për një mbështetje më të mirë të simptomave të menopauzës për personat me prejardhje minoritare, grupe të tilla si pakicat etnike ose komuniteti LGBT+.

“Ndryshimi është jetik andaj ne i bëjmë thirrje ministrit dhe qeverisë së re që t’i kushtojnë menopauzës vëmendjen që i takon dhe të çojnë përpara rekomandimet në raportin tonë për hir të grave në të gjithë vendin”, shtoi Harris.