Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rikthimi i grave afgane në universitete

QIKA 4.3.2022

Kishin kaluar 6 muaj që kur talibanët morën nën kontroll pushtetin në Afganistan dhe grave ua kishin mohuar të drejtën e shkollimit dhe punës.

Në shkurt universitetet publike rihapën dyert për të gjithë studentët. Ishte hera e parë që gratë mund të ktheheshin në universitete që nga pushtimi.

“Edhe pse talibanët nuk na shqetësuan, ndjehesha shumë e shqetësuar sepse ata ruanin ndërtesën. Gjërat dukeshin normale, ashtu siç kishin qenë më herët. Gratë dhe burrat mësonin në klasë të njëjtë, ngaqë universiteti ynë është i vogël”, shprehet Rana për BBC.

Afganistani është bërë i vetmi shtet në botë që publikisht kufizon edukimin në bazë gjinore. Vajzave u është ndaluar edukimi i lartë, ministria për çështjet e grave është shpërbërë dhe në shumë raste gratë nuk lejohen të punojnë. Por, qeveria e re talibane thotë se nuk ka asnjë kundërshtim për të drejtën e grave për arsimim.

Zyrtarët e arsimit kanë shprehur se ata duan klasa të ndara sipas gjinisë dhe një program mësimor të bazuar në parimet islame, me veshjen e hixhabit të detyrueshëm për studentet gra. Gratë gjithashtu janë udhëzuar që të mbajnë hixhabin, megjithëse talibanët nuk e detyruan burkën ashtu siç bënë kur sundonin vendin në vitet e 90-ta.

Gjatë periudhës së parë të sundimit të talibanëve, midis 1996 dhe 2001, grave iu ndalua arsimimi. Kështu që rikthimi në klasa është mirëpritur me kujdes, sado i vogël që të duket si hap i parë.

Disa gjithashtu kanë frikë se talibanët mund të kufizojnë regjistrimin e grave në një numër të vogël të kurseve. Një studente e inxhinierisë civile nga Kabuli tha se u trondit kur kohëve të fundit dëgjoi një zëdhënës të arsimit taliban të thoshte se nuk kishte asnjë arsye që gratë të bëheshin politikane apo inxhiniere pasi këto janë “detyra burrërore”.

Angela Ghayour, e cila themeloi Shkollën Online Herat shprehi se “Talibanët do të përfshijnë më shumë tema në kurrikulë të cilat janë të bazuara në sheriat dhe islam”.

Rihapja e universiteteve publike vjen pasi një delegacion taliban zhvilloi bisedime me zyrtarë perëndimor në Norvegji gjatë muajit janar, ku u kërkuan të përmirësohen të drejtat e grave në mënyrë që të merrnin më shumë ndihmë nga shtete e jashtme.

Ndalimi i ndihmave ka përkeqësuar krizën humanitare në Afganistan, i cili tashmë është shkatërruar nga dekada të luftës. OKB thotë se 95% e afganëve tani nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë.

Një student nga universiteti i mjeksise Mazar-e-Sharif tha për BBC se “kthimi në universitet nuk është më prioritet. Ne po vdesim nga uria. Babai im punonte për qeverinë e mëparshme dhe që kur u kthyen talibanët ai është i papunë dhe nuk kemi ushqim për të ngrënë, kështu që padyshim babai im nuk mund të përballojë më shkollimin tim. Më duhet të blej libra, rroba … por ne nuk kemi para”.

Të tjerët që kanë mjetet për t’u kthyer thonë se kanë ndjenja të përziera për përparimin e vërtetë që mund të arrihet.

Ky artikull është përkthyer nga Mira Asllani në kuadër të programit Bashkohu me QIKA.