Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rrafshimi i gjirit lë shenja afatgjata për gratë në Nigeri

QIKA 5.8.2024

Rrafshimi i gjirit, ose hekurosja e gjirit, është një praktikë kulturore në Nigeri ku gjinjtë e vajzave të reja goditen me objekte brutale ose të nxehta për të vonuar zhvillimin e tyre ose për të maskuar fillimin e pubertetit.

Organizata e Shëndetit në Afrikë (AHO) thotë se komunitetet që praktikojnë rrafshimin e gjirit besojnë se kjo do t’i bëjë vajzat më pak tërheqëse për burrat, duke i mbrojtur ato nga ngacmimet, përdhunimet, rrëmbimet dhe martesat e hershme të detyruara, si dhe duke i mbajtur ato në shkollë, raporton Al Jazeera.

Aktivistët për të drejta të njeriut thonë se kjo është një formë gjymtimi fizik që dëmton mirëqenien sociale dhe psikologjike të fëmijës dhe rrjedhimisht kontribuon në braktisje të shkollës së mesme tek vajzat që vuajnë prej saj.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB) rrafshimi i gjirit prek rreth 3.8 milionë gra në Afrikë dhe është një nga pesë krimet më pak të raportuara lidhur me dhunën me bazë gjinore.

Sipas të dhënave nga revista Annals of Medical Research and Practice, rreth 25% deri në 50% e vajzave në vende si Kameruni dhe pjesë të caktuara të Nigerisë u nënshtrohen kësaj praktike.

Në procedurë të njëjtë hyri Elizabeth John kur ishte 10 vjec. “Përpara se të martohesha, blija qetësues për dhimbjen e gjoksit, por gjendja u përkeqësua pas martesës dhe shtatzënisë kur përpiqesha të ushqeja fëmijën tim me gji”, tha ajo.

Për shkak të vështirësive për të ushqyer fëmijën e saj me gji dhe në pa mundësi për të përdorur formulë, Elizabeth humbi fëmijën kur ishte katër muajsh.

Ushakuma Michael Amineka, një gjinekolog në Spitalin Mësimor Shtetëror Benue, shpjegoi se hekurosja e gjirit mund të lërë efekte afatgjata. “Pasojat e menjëhershme mund të përfshijnë dhimbje sepse gjoksi është ind shumë i butë. Nëse kompresohet, mund të shkaktojë dhimbje dhe madje të shtrembërojë anatominë normale të indit të gjirit”, tha ai.

Sipas një hulumtimi të vitit 2021 të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i Shteteve të Bashkuara (NIH), kjo praktikë kryhet zakonisht nga gratë e afërme dhe ndonjëherë me ndihmën e mamive tradicionale.

Për kryerjen e procedurës zakonisht përdoren mjete tradicionale dhe shtëpiake, duke përfshirë gurët, hekur prej gize, lëvozhgat e arrës së kokosit, çekiçët, shkopinjtë ose lopatat.

“Kjo praktikë kulturore është e tmerrshme dhe çnjerëzore”, tha David Godswill, një aktivist nigerian për të drejtat e njeriut. Efektet mund të jenë traumatike, duke u shkaktuar grave dhe vajzave dhimbje fizike dhe turp për trupin e tyre, shtoi ai.

Rrafshimi i gjirit konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut, fëmijës dhe gjinisë, siç përcaktohet në traktatet ndërkombëtare si Konventa e OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave, Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijën dhe Kartën Afrikane për të Drejtat dhe Mirëqenien e Fëmijës, vuri në dukje NIH.

Në Nigeri, praktika të tilla si gjymtimi i organeve gjenitale femërore, hekurosja e gjirit dhe martesat e detyruara janë gjithashtu vepra penale sipas Aktit të Dhunës kundër Personave dhe Ndalimit (VAPP), sidoqoftë, një vlerësim brenda komuniteteve të ndryshme brenda Territorit Federal të Kryeqytetit (FCT) zbuloi se një në tre vajza adoleshente në këto komunitete kishte përjetuar rrafshimin e gjirit.