Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

RrGK bashkë me 148 organizata kanë dërguar rekomandimet për integrimin gjinor në buxhetin e vitit 2025

QIKA 11.11.2024

Më datë 31 tetor, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.  Sipas Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGj) përfshin integrimin gjinor në procesin buxhetor dhe ristrukturimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për të promovuar barazinë mes grave dhe burrave.

Për shkak se ky projektligj, pas miratimit, nuk u vu në dispozicion për konsultime publike, vetëm javën që shkoi kanë pasur mundësinë qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të analizojnë buxhetin dhe të japin rekomandime.

Më 8 nëntor, Rrjeti i Grave të Kosovës, përfshirë edhe 148 organizata të shoqërisë civile, i kanë dërguar rekomandime Parlamentit të Kosovës për integrimin gjinor në buxhetin e vitit 2025, pasi që kanë identifikuar boshllëqe të cilat ndikojnë në promovimin e pabarazisë gjinore.

Sipas tyre, BPGj duhet të zbatohet dhe integrohet në të gjithë buxhetin, pasi që ky buxhet nuk i plotëson nevojat e grave, vajzave, burrave dhe djemve. Si rrjedhojë, Rrjeti i Grave të Kosovës ka rekomanduar katër çështje të cilat duhet të adresohen menjëherë si përfshirja gjinore, adresimi i dhunës me bazë gjinore, financimi adekuat i Skemës së Asistencës Personale, dhe financimi adekuat i shërbimeve të kujdesit.

“Rekomandojmë alokimin e burimeve për të përmirësuar mbështetjen për zyrtarët për barazi gjinore, shërbimet për të mbijetuarat e dhunës, si dhe për rritjen e asistencës për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në komentarin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Komentarin e plotë mund ta gjeni këtu