Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, në rastin kundër të akuzuarit Idriz Alija, i cili është dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim për veprat penale: vrasje e rëndë në tentativë, posedim i paautorizuar i armëve dhe mospërfillje të gjykatës.
Sipas vendimit, për vrasje të rëndë në tentativë, Alija u dënua me 10 vjet burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim, kurse për “Mospërfillje të gjykatës” u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 11 vjet burgim.
Në reagimin e tyre, RrGK konsideron se ky aktgjykim nuk reflekton seriozitetin e duhur me të cilin do të duhej të trajtoheshin këto krimeve dhe kërkon që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me dënime maksimale, teksa theksojnë se kanë ka përfaqësuar viktimën Sh.T. që nga fillimi i procesit gjyqësor.
“Ne konsiderojmë se ky aktgjykim nuk reflekton seriozitetin e duhur të krimeve të kryera dhe kërkojmë që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me dënime maksimale. Kjo është thelbësore për të krijuar precedentë të qartë për të ardhmen dhe për të treguar se dhuna brenda marrëdhënieve familjare dhe dhuna ndaj grave nuk do të mbetet pa ndëshkim”, thuhet në reagimin e RrGK.
Kujtojmë se Alija kishte tentuar ta vrasë bashkëjetuesen e tij në gusht të vitit 2024. Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar, raporton Betimi për Drejtësi.
Komunikatën e plotë të RrGK e gjeni këtu.