Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rriten rastet e dhunës në familje gjatë luftës në Ukrainë

QIKA 16.8.2024

Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës tash e tre vite, numri i rasteve të dhunës në familje po rritet ndjeshëm. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, policia regjistroi më shumë se 291,000 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2023, një rritje prej 20% në krahasim me vitin 2022, atëherë kur filloi pushtimi rus. 

Ekspertët dhe punonjësit social presin që këto shifra të rriten sërish në vitin 2024. Në dy muajt e parë të këtij viti, ka pasur një rritje prej 56% të dhunës në familje që janë regjistruar si vepra penale në Ukrainë, raporton the Guardian. 

Rastet e raportuara janë vetëm “maja e ajsbergut”, thotë Massimo Diana, nga Fondi i Popullsisë të OKB-së (UNFPA), i cili monitoron dhunën me bazë gjinore. “Numrat nganjëherë nuk tregojnë historinë e plotë, ato janë vetëm tregues të numrit të raporteve të paraqitura”, thotë ai. 

Ivanna Kovalchuk, e cila punon për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Korpusin Mjekësor Ndërkombëtar, thotë: “Ne zbulojmë se gratë kanë më pak gjasa të ankohen kur dhuna në familje përfshin veteranët e luftës. Disa madje kërkojnë falje nëse e bëjnë këtë, sepse mendojnë se mund të mos jetë koha e duhur ose se situata e tyre personale nuk është e krahasueshme me luftën në vend”, shtoi ajo. 

Për më tepër, Massimo Diana thotë se ai ka parë zhvillime të ngjashme edhe në shoqëri të tjera të prekura nga lufta. “Tridhjetë vjet më parë, kjo është ajo që kishim në Kroaci, në Serbi, dhe në Bosnje dhe ne ende po merremi me pasojat e veprimit tonë të vonuar në njohjen e ndikimit që kanë luftërat te gratë. Ne duhet të punojmë me familjet ku këta luftëtarë po kthehen për t’i ndihmuar në përgatitjen e tyre se si të merren me pasojat e luftës. Kjo është një situatë shumë stresuese”, shtoi ai.