Senatorët republikanë bllokuan legjislacionin “Akti i së Drejtës për IVF” që do ta bënte Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (IVF) dhe shërbimet tjera të fertilitetit të qasshme në mbarë vendin.
Nisma legjislative e IVF që u prezantua nga senatorët demokratë Patty Murray, Tammy Duckworth dhe Cory Booker, synon ta bëjë trajtimin e IVF më të përballueshëm duke siguruar mbulimin financiar për trajtimet e fertilitetit nën sigurimin që paguhet nga punëdhënësi dhe parashihte disa plane shtesë të sigurimeve publike. Ai gjithashtu do të zgjeronte mbulimin e trajtimeve të fertilitetit, përfshirë IVF, nën kujdesin shëndetësor të anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan dhe veteranëve, raporton CNN.
Legjislacioni nuk arriti të kaloj në votim procedural për çka nevojiten 60 vota, ndërsa republikanët senatorë e kritikuan udhëheqësin e shumicës në senat se po e shfrytëzonte këtë temë për shfaqje politike me përllogaritje elektorale.
“Si një nënë që luftoi me infertilitetin për vite të tëra, si një prind që kishte nevojë për IVF për të bërë dy vajzat e mia të bukura, gjithçka që mund t’u them kolegëve të mi republikanë në këtë moment është: Si guxoni?”, tha senatorja Tammy Duckworth, një veterane ushtarake që ishte përballur edhe vetë me fertilitetit.
Senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer ka theksuar mospërputhjen republikane ndaj legjislacionit federal që do të garantonte të drejtat e grave për kujdesin riprodhues. “Lëvizja kundër abortit nuk ka përfunduar ende. Tani që Roe është shfuqizuar, ata e kanë gjetur një objektiv të ri – fekondimi in vitro”, tha ai.
Edhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka reaguar pas votimit. “Edhe një herë, republikanët e Senatit refuzuan të mbrojnë qasjen në trajtimet e fertilitetit për gratë që po përpiqen të mbeten shtatzënë. Dhe vetëm javën e kaluar, republikanët e Senatit bllokuan mbrojtjen mbarëkombëtare për kontrollin e lindjes. Mospërfillja e të drejtës së një gruaje për t’i marrë këto vendime për veten dhe familjen e saj është skandaloze dhe e papranueshme”, tha Biden në një komunikatë.