Një vendim i fundit i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të djegur kontraceptivë në vlerë prej 9.7 milionë dollarësh ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat riprodhuese, të cilat paralajmërojnë pasoja shkatërruese për gratë dhe vajzat në pesë shtete afrikane.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF), më shumë se 1.4 milionë gra dhe vajza në Republikën Demokratike të Kongos, Kenia, Tanzani, Zambi dhe Mali do të mbesin pa qasje në kujdes esencial shëndetësor si rezultat i këtij vendimi, raporton The Guardian.
Kontraceptivët, të cilët kishin afat të vlefshmërisë deri në vitet 2027–2029, ishin të prodhuar, të paketuar dhe gati për shpërndarje. IPPF ishte e gatshme t’i pranonte dhe t’i shpërndante ato pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë, por kjo ofertë u refuzua.
Ky vendim pritet të rezultojë në 174,000 shtatzëni të padëshiruara dhe 56,000 aborte të pasigurta, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe mirëqenien e grave dhe vajzave që jetojnë në kushte të cenueshme.
Vetëm në Tanzani, humbja e mbi 1 milion kontraceptivëve injektues dhe 365,100 implanteve do të thotë se 28% e nevojës vjetore kombëtare do të mbetet e paplotësuar.
Duke qenë se 77% e kontraceptivëve të destinuar për t’u shkatërruar do të shpërndaheshin në vendet afrikane, ky vendim jo vetëm që ua mohon grave të drejtën në kujdes bazik shëndetësor, por edhe shpalos mënyrën se si vendimet politike të marra në vende të pasura mund të kenë pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta për jetët e grave dhe vajzave në kontekste të margjinalizuara.